Rezultati në zgjedhjet komunale nuk do të matë vetëm peshën e partive politike shqiptare në Maqedoni, por njëkohësisht do të legjitimojë edhe liderët partiakë.
Megjithatë, më specifike dhe komplekse është situata në komunën e Stugës dhe komunën e Gostivarit ku nga radhët e Aleancës për Shqiptarët do të garojnë lideri aktual i kësaj partie, Ziadin Sela dhe sekretari i partisë, Arben Taravari.
Taravari do të ketë përballë Nevzat Bejtën e BDI – së, ndërsa Ziadin Sela sipas gjitha gjaseve do të masë forcat me Ramiz Merkon, po ashtu nga radhët e BDI – së. Kjo do të determinonte edhe fituesin e këtyre zgjedhjeve në balotazh ku njëri prej tyre do të ballafaqohet eventualisht me përfaqësuesin e njërës prej partive maqedonase.
E, derisa Ziadin Sela arriti të bëhej kryetar i Strugës me ndihmën e votuesve të BDI – së, kësaj radhe kjo fitore do të jetë e kushtëzuar nga ana e partisë së Ali Ahmetit. Kjo për faktin se në Gostivar do të zhvillohet betejë e ashpër midis kryetarit aktual të kësaj komune, Nevzat Bejta dhe sekretarit të përgjitshëm të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Fitorja e Taravarit dhe humbja e Selës do ta delegjitimonte liderizmin e këtij të fundit, andaj në këto rrethana një marrëveshje midis Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës duket se është e pashmangshme. Për më tepër, kur votat potenciale të Lëvizjes BESA nuk do të lëviznin në drejtim të Ziadin Selës nëse paraprakisht nuk do të kishin një marrëveshje ku do të përkrahej Bilall Kasami në Tetovë.
Andaj, këto zgjedhje lokale për Aleancën për Shqiptarët më shumë se sa matje e forcave politike do të shërbejnë edhe për të rri – rreshtuar radhët e saj ku Arben Taravari ose do të pensionohet nga politika – siç ka deklaruar vetë në rast të humbjes, ose do të jetë lider i ardhshëm i këtij subjekti politik. Dhe në masë të madhe, kjo do të varet nga vullneti i Ali Ahmetit./Sakte.net