Për qendrën me të madhe spitalore publike në Maqedoni që nga muaji i kaluar vendimmarrës është edhe kardiologu Borche Petrovski, i cili në Kosovë është njëri prej të akuzuarve në rastin e njohur si “Stenta”, shkruan sot Koha Ditore.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e ka emëruar Petrovskin pjesë të Bordit drejtues të Spitalit Publik në Shkup për mandat trevjeçar. Një gjë e tillë konfirmohet nga Gazeta Zyrtare e këtij shteti. Shpallja e emrit të Petrovskit në gazetë është bërë më 3 gusht.
“Borçe Petrovski është emëruar anëtar në Këshillin Drejtues të Klinikës Universitare për Kardiologji në Shkup”, thuhet në gazetën zyrtare të Maqedonisë. Emërimi është bërë për një mandat 3-vjeçar.
Gazeta lidhur me këtë ka kontaktuar avokaten e Petrovskit, Merita Stublla – Emini, mirëpo ajo ka thënë se nuk e ka asnjë informatë lidhur me këtë emërim.