Ndonëse shtrihet rrëzë malit Sharr dhe shpeshherë përballet me vërshime, banorët e komunës së Tetovës vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm. Deponitë e mbeturinave janë një tjetër problem serioz në këtë komunë ku është e koncentruar pjesa më e madhe e popullatës shqiptare në Maqedoni.
Buxheti i planifikuar për komunën e Tetovës në periudhën 2013 – 2016 ishte 115.312.642 euro. Nga kjo shumë buxheti i realizuar është 79.486. 495 euro apo 68.9%. Sa i përket investimeve kapitale në dispozicion kanë qenë 23.952.103 euro, prej të cilave janë realizuar vetëm 5.881.625 euro apo 24.6%. nga totali i buxhetit të komunës së Tetovës, vetëm 7.4 janë shpenzuar për investime kapitale.
Edhe kjo komunë është udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, respektivisht, Teuta Arifi. Para se të merrte mandatin e kryetares ajo kishte premtuar 10 projekte kryesore, ndërtimi i ujësjellësit, kanalizimeve, shkollave, etj.
Teuta Arifi kishte premtuar miratimin e një Plani të Përgjithshëm Urban për Tetovën për të cilin projekt kryetarja e kësaj komune kishte planifikuar 18 milionë denarë, si dhe plane të detajuara urbane. Në faqen zyrtare të Komunës së Tetovës mund të gjenden dy – tre plane të detajuara urbane, por mungon Plani i përgjithshëm urban.
Zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm ishte një prej prioriteteve kryesore të Teuta Arifit. Ndërtimi i sistemit të furnizimit me uj të pijshëm ka filluar në vitin 2014, ndërsa komuna e Tetovës në vitin 2016 e kishte shpallur përfundimin e punimeve të ndërtimit të sistemit të ujësjellësit në Tetovë. Në fakt, kishte përfunduar ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit prej 8.5 km nga rezervari Leshnica deri në rezervën tjetër Uji i Ftohtë, e cila ofron 200 litra ujë për sekondë për Tetovën ndërsa stacioni u vu në funksionim 11 ditë para fushatës. Megjithatë, përkundër këtij investimi, banorët e Tetovës vazhdojnë të ankohen për mungesën e ujit të pijshëm. Teuta Arifi në këtë mandat sërish ka përsëritur se në 4 vitet e ardhshme do të ketë prioritet rehabilitimin dhe rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit si dhe rregullimin e hapësirave për qarkullimin e nxënësve. Po ashtu, në përfundim të mandatit, janë asfaltuar dy – tre rrugica nëpër lagjet e Tetovës. Në muajin gusht të vitit 2017, Arifi takoi të akuzuarin për korrupsion, kryetarin e Zagrebit Milan Bandiç duke thënë se do të vendoset bashkëpunim për të vënë në
funsksion eksperiencën dhe praktikat pozitive të qytetit të Zagrebit.
Transporti publik, ishte një premtim tjetër që mbeti i parealizuar. Kryetarja Arifi kishte premtuar transport për qytetin dhe zonën periferike, mirëpo e tëra që është realizuar nga ky premtim është vetëm një deklarim i kryetares se është duke planifikuar të operacionalizojë idenë e kompanisë së transportit publik.
Zgjidhja për deponitë e egra, ishte një premtim tjetër i kryetares së Tetovës. Trajtimi i përshtatshëm i mbeturinave dhe pastrimi i venddepozitimeve ilegale në Tetovë ishte premtimi i i cili është realizuar pjesërisht. Në korrik të këtij viti, komuna ndërtoi një stacion kompresimi të mbeturinave, të cilat pastaj duhet të transportohen në deponinë e Drislës në Shkup. Por, deponitë ilegale në Tetovë nuk u zhdukën. Këto mbeturina sa herë që ndizen, e ngulfasin qytetin e Tetovës nga tymi.
Gjatë mandatit të Teuta Arifit, Tetova është shpallur qyteti më i ndotur në Evropë. Ndonëse ishte edhe nënkryetare e subjektit politik që bashkëqeveriste me Nikolla Gruevskin, ndërsa Ministria e Mjedisit drejtohej nga BDI, ata e neglizhuan ndotjen e ajrit që e shkaktonte fabrika e Jugohromit, deri në atë masë sa u alarmua situata dhe shpërthyen protestat më të mëdha të qytetarëve. Gjatë kësaj periudhe u rrit numri i aborteve dhe rasteve me kancer.
Kazinot në afërsi të shkollave dhe thuajse në çdo lagje të Tetovës janë një problem tjetër me të cilin ballafaqohen qytetarët e Tetovës, veçanërisht prindërit e nxënësve që vijojnë shkollat fillore dhe ato të mesme./Sakte.net