Arjanit Hoxha është në krye të LDSHM-së (Ligës së Diasporës shqiptare për Maqedoninë), në SHBA. Si përfaqësues i diasporës më të fuqishme shqiptare, ai u bë pjesë e Këshillit Opozitar, pjesë e të cilit janë përfaqësues të subjekteve politike opozitare në Maqedoni dhe intelektual të pavarur. Me 9 Maj në Maqedoni u pa më qartë se asnjëherë bashkimi i zërave opozitar që prodhoi protestën më masovike që është mbajtur ndonjëherë nga shqiptarët në Maqedoni. Më shumë se 30 mijë protestues “kuq e zi” vërshuan Shkupin. Në një intervistë për portalin Sakte.net, anëtari i Këshillit Opozitar, Arjanit Hoxha flet ekskluzivisht për hapat e mëtejmë të këtij këshilli, si dhe për zhvillimet e tjera në Maqedoni.
Sakte.net: Pse është themeluar Këshilli Opozitar, kush është dhe kush mund të jetë pjesë e këtij Këshilli?
Arjanit Hoxha: Këshilli opozitar u themelua si nevojë për të ngritur zërin kundër të keqes të përgjithshme që po ndodh në shoqërinë shqiptare në Maqedoni dhe për të dëshmuar se nuk mund të lejojmë që zëri opozitar i shqiptarëve të izolohet vetëm në kuadër të partive politike por duke bërë një gërshetim mes shoqërisë civile dhe partive politike opozitare të largojmë këtë të keqen që pasqyrohet në regjimin VMRO-BDI dhe që po dëshmohet dita ditës si pushteti që ka dëmtuar më së shumti shqiptarët në këtë periudhe 10 vjeçare.
Pjesë e Këshillit Opozitar janë persona të cilët pa u hamendur dhe pa kalkuluar u bënë pjesë e këtij këshilli pa pasur asnjë pretendim për karrierë politike se të gjithë në sferat e tyre janë të realizuar dhe kanë dëshmuar se nuk është e domosdoshme të merresh me politikë që të jesh i suksesshëm në shoqëri. Pjesë e këtij këshilli janë profesorë universitarë, publicistë, afaristë dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Pjesë e këshillit mund të bëhet çdokush që ja do të mirën shqiptarëve dhe që mund të kontribuojë në largimin e kësaj garniture qeveritare dhe bashkërisht të luftojmë në rivendosjen e vlerave dhe sistemit të rri të funksionimit të Maqedonisë si shtet dy etnik me vendimmarrje konsensuale.
Sakte.net: Sa janë të gatshëm njerëzit t’i bashkëngjiten thirrjes për të qenë pjesë e Këshillit?
Arjanit Hoxha: Nga shumë tribunat që mbajtëm nëpër vendbanimet shqiptare u pritëm jashtëzakonisht pozitivisht, njerëzit te ne kuptuan se po bëjmë aktivitet në drejtim të largimit të këtij regjimi që në forma legale po terrorizon shqiptarët. Masoviteti në tribuna u kurorëzua edhe me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të popullit shqiptar në protestën e 9 Majit. Kjo dëshmon se gatishmëria edhe individuale edhe kolektive e shumë shqiptarëve në Maqedoni është në favor të Këshillit Opozitar.
Sakte.net: Pas organizimit të shumë tubimeve me qytetarë e cila kulmoi me protestën e 9 Majit ku morën pjesë mbi 30 mijë protestues, kohëve të fundit nuk jeni gjithaq aktiv. Pse jeni heshtur publikisht?
Arjanit Hoxha: Në kohën kur u formua Këshilli Opozitar flitej për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe e gjithë puna jonë ka qenë e koncentruar që të demaskojmë regjimin aktual dhe në të njëjtën kohë ti ofrojmë popullit shqiptar opsionin se si ne kemi gjetur formën që së pari të unifikojmë shpitin opozitar të popullit dhe duke unifikuar popullatën nuk do kemi nevojë që të bëjmë betejë për të unifikuar partitë politike opozitare të cilat kanë mbetur në mentalitetin e partive amë nga kanë dalë. Pra, pjesëmarrja e 30 mijë qytetarëve në protestën e 9 Majit dëshmon se thirrjes tonë për unifikim kundër të keqes populli ju përgjigj pozitivisht ndërsa përveç partive të vjetra edhe disa parti të reja opozitare u munduan që të pengojnë këtë unifikim edhe pse me atë popullorçen “të vrasin natën e të qajnë ditën” ata morën pjesë individualisht në këtë protestë dhe besoj nga aty shpresoj se kanë kuptuar që nuk mund të kenë sukses duke u mbyllur vetëm në “mburojat” e partisë por duhet të hapen më shumë ndaj popullit.
Sa i përket heshtjes të tanishme siç thoni ndoshta edhe keni të drejtë por kjo heshtje është sepse ne nuk jemi parti politike, puna jonë nuk ka qenë të merremi me politikë ditore. Angazhimi jonë është më tepër në drejtim të dhënies të shpresës dhe zgjidhjes se si të dalim nga kjo situatë që na ka futur ky pushtet dhe këtë ne e kemi bërë përmes porosive që kemi dërguar nga protesta e 9 Majit. Por, Këshillit Opozitar do ta dridh Maqedoninë nëse do vazhdojnë të shkelen interesat e shqiptarëve.
Sakte.net: Si i komentoni zhvillimet midis palëve që janë të përfshira për arritjen e një marrëveshjeje të re politike në Maqedoni e cila si duket sot përfundimisht morri një epilog?
Arjanit Hoxha: Maqedonia është vendi i çudirave. Paramendoni janë ulur në tavolinë të negociojnë dhe të gjejnë zgjidhje po të njëjtit aktorë politik që na sollën në këtë gjendje të mjerueshme. Kjo aq sa është paradoksale mund të jetë edhe fatale për ardhmërinë e Maqedonisë.
Është fakt se duhet të ketë një epilog sa më të shpejt për zgjidhjen e krizës politike por është fakt edhe ajo se kur të dilet nga kjo krizë politike do kemi përsëri krizë të re sepse asnjë nga kjo që do dalë si marrëveshje e re nuk do ja ndryshojë shqiptarëve gjendjen politiko-ekonomike.
Sa i përket informacioneve se gjatë ditës së sotme u arrit marrëveshje mes partive politike unë nuk do shpejtoj që të jap vlerësim pa i ditur detajet, por nga ajo që u kuptua nga media mund të them që asnjë gjë nga marrëveshja e arritur nuk është në favor të shqiptarëve. Përsëri partitë shqiptare në bisedime mbajtën rolin e statistit, rol të cilin e kanë mbajtur edhe gjatë qeverisjes.
Sakte.net: Cilat qëndrime dhe kërkesa duhet t’i kenë partitë shqiptare në raport me palën maqedonase?
Arjanit Hoxha: Nuk do hy shumë në detaje por me dy fjali do e përshkruaj Maqedoninë se si duhet të duket pas gjithë kësaj situate që ka ndodhur gjer më tani. Maqedonia mund të ketë ardhmëri si shtet i mirëfilltë edhe stabil vetëm duke u bërë shtet dy etnik me vendimmarrje konsensuale. Ky është modeli që nuk do lejonte asnjëherë majorizimin ndaj shqiptarëve dhe do mundësonte zhvillim të Maqedonisë duke marrë për bazë partneritetin dhe vullnetin e përbashkët të dy komuniteteve më të madha, atij maqedonas dhe shqiptar. Për ta ilustruar me një shembull se çka nënkupton shteti dy etnik me vendimmarrje konsensuale ju dëshmoj një shembull. Sot për të ndërtuar një çerdhe në një komunë me shumicë shqiptare në Maqedoni duhet patjetër të pyesim partinë maqedonase ndërsa partia maqedonase në çdo kohe dhe pa dhënë asnjë llogari bën çka të dojë në komunat maqedonase. Duke pasur model politik ku asgjë nuk do bëhet pa konsensus mes dy palëve ne jemi të bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë shtet i mirëfilltë, përndryshe Maqedonia do ekzistojë njëlloj si pacientët që me vitet qëndrojnë në komë pa vetëdije.
Sakte.net: Deri më tani pjesë e këshillit opozitar janë vetëm BESA dhe simbolikisht edhe PPD. Pse partitë e tjera opozitare nuk iu bashkëngjiten?
Arjanit Hoxha: E thashë edhe më lart në një nga pyetjet, partitë të cilat nuk janë pjesë e Këshillit Opozitar janë izoluar në ideologjinë e partive amë nga ku kanë dalë dhe vështirë se mund të mendojnë më gjerë se interesat e tyre të ngushta partiake. Unë duhet ta them për herë të parë se ne kur e kuptuam se është shumë vështirë të bashkosh të gjitha partitë politike vendosëm që të vazhdojmë rrugën tonë vetëm me ato parti të cilat ishin të gatshme të sakrifikojnë nga vetvetja për të mirën e shqiptarëve dhe me këtë unifikuam gjithë spektrin e shoqërisë shqiptare dhe ky veprim u dëshmua i drejtë me masovitetin e protestës së 9 Majit.
Sakte.net: Në bazë të cilave kritere do të bëhej përzgjedhja e kandidatëve si dhe në cfarë kërkesa do të duhej të mbështetej një platformë e përbashkët opozitare nëse do të arrihej, kushtimisht thënë, bashkimi i bllokut opozitar shqiptar në Maqedoni?
Arjanit Hoxha: Ideja bazë ka qenë që të gjitha partitë opozitare të delegojnë përfaqësues në Këshillin Opozitar. Bashkërisht të vendosim kushtet se mbi cilën bazë do duhej të bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do garonin për zgjedhje dhe që do ishin garant të platformës të përbashkët. Ne që nga themelimi filluam përpilimin e platformës. Edhe kur e përfunduam platformën nuk e bëmë publike sepse kemi pritur që të bashkëngjiten edhe subjektet e tjera që bashkërisht ta kompletojmë mirëpo ne nuk mund të prisnim në pafund dhe pikërisht pas publikimit të platformës ne morëm hapim për mbajten e protestës të 9 Majit dhe nëse ju kujtohet ne atë kohë nuk ka patur as protesta nga revulucioni laraman as ndonjë protestë tjetër. Ne jo vetëm që nuk morëm përkrahje por u vumë në shënjestër më shumë nga këta që kemi pritur bashkëpunim se nga vetë partitë e pushtetit dhe nga kjo konkluduam se rrugën duhet ta vazhdojmë aq sa jemi dhe mos humbim energji me partitë e tjera opozitare dhe kjo u dëshmua si vendim i drejtë nëse krahasohen protestat shqiptare që u mbajtën në atë periudhë kohore.
Sakte.net: A do të ishin edhe anëtarët e këshillit pjesë e listës?
Arjanit Hoxha: Ne asnjëherë në Këshill nuk kemi biseduar që të marrim hise në lista. Ne nuk jemi palë partiake, ne thjesht kemi ngritur një institucion që quhet Këshill Opozitar dhe nga këtu kemi dashur thjesht të japim sugjerimet tona, përvojën profesionale dhe njohuritë e përgjithshme për të ndryshuar situatën në të cilën gjendemi.
Sakte.net: Sa ekzistojnë gjasat që Këshilli Opozitar të shndërrohet në subjekt politik nëse nuk arrin ta bashkojë opozitën apo t’i bashkohet ndonjë partie ekzistuese?
Arjanit Hoxha: Këshilli Opozitar në këtë format që është ka kapacitet shumë më të madh se për të bërë subjekt politik, mirëpo kjo as në idenë fillestare as tani nuk është diçka që e mendojmë. Thënë drejt Këshilli Opozitar nuk do shndërrohet në parti politike sepse atëherë do kishim humbur nga esenca e idesë që kemi nisur. Po ashtu, themelimi i një subjekti politik në këtë kohë aspak nuk do i kontribuonte bashkimit të frymës opozitare përkundrazi do t’i zbehte të gjitha forcat e tjera.
Sa i përket çështjes për t’ju bashkuar ndonjë subjekti politik ne nuk kemi marrë ndonjë qëndrim rreth kësaj çështje, por edhe sikur të ndodhë ndonjë gjë e tille me siguri Këshillit Opozitar si format i plotë apo individë të caktuar do t’i bashkangjiten njërit nga subjekteve që tani janë pjesë e këtij këshilli./Sakte.net