Ukë Rugova e Astrit Haraqija sërish para gjykatës

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija si dhe të tjerët, sërish pritet të ulen në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykimi ndaj tyre, është paraparë të vazhdojë nesër, më 22 nëntor, e në të cilin Rugova, Haraqija e të tjerët, akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar, në rastin e vizave italiane.

Më 12 tetor të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës në këtë rast.

Gjykata e Apelit, kishte njoftuar se e ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Rugovës dhe të akuzuarve të tjerë, që ishte parashtruar kundër aktvendimit të kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Shtatëmbëdhjetë të pandehur kishin parashtruar ankesa kundër Aktvendimit të Kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës PKR 305/2016 të datës 27 mars 2017, me anë të cilit ishin refuzuar kërkesat e mbrojtjes për ta hedhur poshtë aktakuzën si dhe kundërshtimet e tyre ndaj provave. Gjykata e Apelit, me anë të aktvendimit PN 475/2017 të datës 25 shtator 2017, i ka hedhur poshtë këto 17 ankesa. Aktvendimi i Kryetarit të trupit gjykues u vërtetua”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Përndryshe ky rast po gjykohet nga ana e gjykatësit të EULEX-it, Vladimir Mikula dhe prokurorit Allen Cansick.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë./Betimi për Drejtësi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme