Dy skandale të tjera që na trishtojnë nga kjo Qeveri

Sakte.net / e Enjte 22 Shtator 2016 / 09:20

Nga Artur Zheji 

Shpesh po na ndodh që lajmet dramatike që vijnë nga e përditshmja i tejkalojnë, edhe parashikimet më të zymta. Madje ato që shohim e dëgjojmë, kalojnë edhe fantazinë regjizoriale të një kineasti depresiv, që do të përgatiste filmin: “Shqipëria, kjo katastrofë!”

Kryeministri, duke rënë në një përsëritje të mërzitshme, gjithnjë e më të mërzitshme dhe duke patur një besim të çartur te budallallëku i shqiptarëve nga njera anë dhe një vetëbesim të marrëzishëm te aftësia e tij shpesh herë e susksesshme për shplarje truri, ende guxon dhe flet për suksese në mes të këtij llumi kombëtar që është krijuar.

Nuk e sajuan as mediat dhe as Opozita, rënien e aeroplanit në Ishëm. Nuk ishin skenografët dhe gjeodetët e PD apo të portaleve që e krijuan Pistën e Drogës, pikërisht në zemër të Shqipërisë, në aksin më të rrahur të vendit, në aksin Tiranë-Durrës. Nuk ishte as edhe ndonjë sajesë hollivudiane as edhe një inskenim dashakeqas, i atyre që nuk duan Ramën.

Ishte në të vërtetë pra, një Skandal Uluritës, që rrëfen ose dështimin e plotë të Policisë dhe Shërbimeve inteligjente shqiptare, ose një bashkëpunim i mirëfilltë i autoriteteve shtetërore, me Krimin e organizuar të drogës. Në çdo vend normal, asnjë fjalim, qoftë i frymëzuar apo qoftë i lodhur, si edhe janë sëfundmi fjalimet e kryeshefit të kësaj qeverie, nuk do të mjaftonte për të mbuluar diellin me shoshë.

Ndërsa ai, në kulmin  e një papërgjegjshmërie, që sa vjen e rritet, u foli policëve dhe shqiptarëve për nobelistin Milan Kundera dhe paradigmat e tija të padëgjuara kurrë, për policin dhe popullin dhe marrëzira të tjera si këto. Dëshmi e një rraskapitjeje psiqike, në realizimin e misionit të pamundur, për të fshehur aeroplanin e drogës, gjyshin Guido pilot, pistën dhe aeroportin e vogël të të gjitha drogave. Të padukshëm dhe të pakapshëm. Një mrekulli e vërtetë ndërtimore, që ka kërkuar studim, projekt, mjete të rënda pune, guxim dhe para. Kush mund ta besojë se  ky aeroport i vogël, ka mbirë nga hiçi dhe gjithshka është kryer në ditët e nxehta të Vettingut.

Dorëheqja është përgjigja e vetme e një flagrance të tillë! Por në këtë rast, duhet pasur shpresë vetëm te Prokuroria, ndërsa Ndërkombëtarët, në këtë rast janë çuditërisht në një gjumë të thellë. Nuk shohin, nuk dëgjojnë dhe mbi të gjitha nuk flasin!…

Skandali i Dytë Uluritës, ishte vdekja tragjike dhe e tmerrshme e nje nëne me foshnjen e saj. Një vdekje që ngjan më shumë me një Vrasje të Paralajmëruar dhe shënon dështimin e bujshëm dhe të plotë të sitemit tonë shëndetësor. Madje shndërrimin e këtij sistemi në një makineri vrasëse në emër të parasë.

Sepse nëse Aida, do të ishte dikush tjetër dhe jo popull, ajo do të jetonte. Mjekët që ishin hedhur te privati atë natë, do ta kishin shpëtuar sigurisht. Por a është faji i mjekëve, kur kryeministri ka degdisur 400 milion dollarë të çmueshëm te private, për të shëndoshur mjekësinë shqiptare të përgjithshme? Sepse Aidën, asnjë privat nuk do ta pranonte pa tundur lekët, ose eurot më mirë. Një 35 vjeçare që detyrohet të rraskapitet drejt vdekjes duke udhëtuar në tre spitale, me 3 diagnoza të ndryshme.

Të treja të gabuara. Të treja diagnoza që e çuan drejt vdekjes. Të treja diagnoza vrasëse.

Dhe çfarë pritet? Sigurisht fjalimet e kryeminsitrit për Rilindjen. Fjalime që nuk e sjellin më në jetë Aidën, por që njëkohësisht çertifikojnë edhe vdekjen e çdo ndryshimi.

Çertifikimin se mjerisht asgjë nuk do të ndryshojë, sepse numrat e pushtetit nuk lëvizin.

Të paktën të kishte një vërshim të interpelancave parlamentare, por as kjo spo ndodh.

LSI, edhe ajo rri e vështron dhe ruan paktet para dhe pas zgjedhore.

Dhe sigurisht do të vijojnë e të shahen mediat dhe portalet, për mosdashuri dhe tendencë dashakeqe, ndaj qeverisë!

Pak të themi, po ky vend, mbeti në duart e Papërgjegjshmërisë. Padyshim, Institucioni më jetëgjatë në Shqipëri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme