Një ditë pasi organizata të shoqërisë civile në Gjakovë deponuan në Prokurorinë Themelore në këtë qytet kërkesën për ngritjen e aktakuzës për krime lufte ndaj ish-kryetarit serb, Gjokica Stanojeviq, kjo lëndë është përcjellë tashmë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori në Gjakovë, Ali Selimaj, raporton KTV.
Shkëndije Hoda, njëra nga përfaqësueset e shoqërisë civile në Gjakovë, thotë se kanë fakte të shumta që ish-kryetari serb i Gjakovës është përgjegjës për të gjitha krimet e kryera.
Bashkë me dëshmi, në prokurori kanë dorëzuar edhe një peticion të qytetarëve ndërsa kanë paralajmëruar se do të ketë në vazhdim edhe shumë kallëzime të tjera penale për emra të tjerë që kanë kryer krime në komunën e Gjakovës.
Ndërkohë, është ftuar tashmë protesta për të shtunën, duke filluar nga ora 8:00 e mëngjesit, pavarësisht që Sava Janjiq, përfaqësues i kishës ortodokse serbe, ka paralajmëruar se vizita e pelegrinëve serbë, e planifikuar për të shtunën në Gjakovë, është anuluar.
Ideal Zhaveli njëri nga organizatorët e kësaj proteste thotë se nuk i besojnë asnjë deklarate të serbëve.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen gjatë protestës, e Gjakova të mos bëhet sërish temë diskutimi në Këshillin e Sigurimit.
Kësaj protestë do t’i përgjigjet organizata “Thirrjet e Nënave”.
Nesrete Kumnova thotë se nuk guxojnë t’u besojnë deklaratave se ata nuk do të jenë në Gjakovë.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Policisë në Gjakovë.
Kanë thënë se nuk kanë informacione zyrtare nëse pelegrinët serbë do ta vizitojnë Kishën Ortodokse në këtë komunë, porse kanë bërë tashmë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe janë të gatshëm për çdo rast.
© KOHA.