Më 2 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Shkupit iu ka shqiptuar dënimin me burg të përjetshëm tetë pjesëtarëve të “Grupit të Kumanovës”, derisa të tjerët u dënuar prej 10 deri në 20 vjet burg. Ndaj tyre u premtua një hetim ndërkombëtarë, e cila ishte iniciativë e palës mbrojtëse dhe e familjarëve të të dënuarve të cilët nuk e pranuan aktgjykimin.
Ishin kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe ai kosovar Ramush Haradinaj, të cilët pas një takimi në Prishtinë u deklaruan pro nisjes së një hetimi të tillë.
Megjithatë, procesi duket se po zvarritet pasi që pala mbrojtëse akoma nuk ka pranuar aktgjykimin i cili ua mundëson atyre të drejtën e ankesës.
Në një prononcim për Indeksonline, avokati Naser Raufi, i cili përfaqëson 12 prej të dënuarve ka thënë se vonesa e aktgjykimit vjen si pasojë e përkthimit në gjuhën shqipe. Përkundër kësaj, ai është shprehur optimist se hetimi ndërkombëtar do të nisë brenda një afati të shkurtër kohor.
“Ende nuk e kemi pranuar aktgjykimin, sigurisht për arsyen e përkthimit në gjuhën shqipe. Afati kohor i tij është 90 ditë që të na dorëzohet, prej kur e ka shpallë gjykata gojarisht vendimin, kjo është gati por është çështja e përkthimit ajo që e vonoi. Ne pastaj kemi afat 15 ditë që të bëjmë ankesë. Nuk ka konkretisht ndonjë lajm, po punohet në bazë të ligjit në Maqedoni për ndihmën ndërkombëtare ku është e paraparë që mund të formohet ekipi i hetimit nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria edhe nga shtete të tjera. Kjo veç ka qenë bisedë mes dy kryeministrave Haradinaj e Zaev të cilët janë dakorduar për hetim, andaj presim që për një interval të shkurtër kohor që të formohet sepse vetëm ashtu do të zbardhet rasti, nga një komision i pavarur”, ka sqaruar Raufi.
Ai ka thënë se pret që deri të premten ta pranojnë aktgjykimin dhe të niset me procesin e ankesës. Kurse, sa i përket nisjes së hetimit, Raufi është shprehur se ka biseduar me Ministrinë e Drejtësisë në Shkup dhe atje janë duke u angazhuar për këtë çështje.
Sipas Raufit, duke marrë parasysh këtë angazhim si dhe atë të kryeministrave Zaev e Haradinaj, nuk do të zgjasë shumë nisja e hetimit.
“Sipas ligjit është e paraparë formimi i komisioneve që ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti, por ende nuk kemi asnjë të re nga Ministria jonë e Drejtësisë. Ne si palë mbrojtëse e kemi dhënë këtë si propozim. Këto ditë do t`i vizitoj edhe të burgosurit por mendova ta marr aktgjykimin që deri të premten besoj që do të na japin dhe do të kem mundësi që ta diskutoj edhe çështjen e ankesës”, ka deklaruar ai për Indeksonline.
Kujtojmë se një konflikt i armatosur ka ndodhur në maj të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë. Aty humbën jetën tetë policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur./Indeksonline