Mospajtimet në Degën e PDK-së në Skenderaj po vazhdojnë të shfaqen në publik. Krejt kjo pasi Kryesia e kësaj dege së bashku me kryetarin e saj, Sami Lushtakun, morën vendim që të shkarkojnë nga partia shtatë anëtarë, duke përfshirë këtu edhe deputetin, Bekim Haxhiun të njohur si Kamishi.
Kështu, së fundi për këto mospajtime është deklaruar edhe ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku. I njëjti përmes një letre ka shpjeguar problemet e rëndësishme të partisë.
Me këtë rast,’Nura’ e ka kundërshtuar Sami Lushtakun për vendimin që ka marrë. Ai ka theksuar se “Vendimet e marra janë jo valide sepse janë jashtë normave juridike, anti statutare, perqares dhe si tilla janë të pa vlefshme”, ka shkruar Nuredin Lushtaku.
Lidhur me këtë, “Indeksonline” ka kontaktuar Kryetarin e Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakun për të mësuar se cili është reagimi i tij për këtë.
Lushtaku thotë se vendimet janë marrë nga Kryesia dhe jo nga Kryetari. Sipas tij, Nuredini nuk duhet që të komentojë këtë situatë.
“Vendimet i merr Kryesia e Degës në Skenderaj e jo kryetari. Nura as nuk është në Kryesi e as në struktura të partisë politike, ai është zëvendës kryetar i Komunës dhe kaq. Vendimin e Kryesisë nuk mundet me kundërshtu kërkush por ka mundësi me pas mendime të ndryshme në parti politike po vendimet nuk ndryshohen. Mendimi i tillë është veç një mendim ndryshe i Nuredinit, ai nuk ka as drejtë që t’i komentojë bile, në atë kuptimin se nuk është nëpër struktura të partisë”, është shprehur Lushtaku për “Indeksonline”.
Ndryshe, më poshtë keni edhe letrën e plotë të Nuredin Lushtakut që ka folur rreth problemeve të fundit të kësaj partie të Degës në ‘bastionin’ e saj në Skenderaj.