Policia e Kosovës pothuajse çdo ditë raporton për raste të dhunës në familje. Gjatë 24 orëve të fundit policia ka bërë të ditur se një person ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Për sulm fizik policia ka arrestuar një person në Podujevë. Pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht (me thikë) dy viktima. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë në Prishtinë policia është marrë edhe me një rast detyrimi në prostitucion, ku ka arrestuar tre meshkuj dhe një femër nën dyshimin se kanë kryer këtë vepër.
Një kanosje me armë ka ndodhur në fshatin Reçak të Shtimes. Policia ka arrestuar një person pasi që i njëjti kishte kanosur me armë zjarri viktimën. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me gaz dhe 21 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia gjatë 24 orëve pati punë edhe në Gjakovë ku arrestoi tre të dyshuar shtetas të Shqipërisë, pasi që të njëjtit janë kapur duke tentuar të kryejnë vjedhje në një market. Gjatë kontrollit në banesën e tyre që jetojnë me qira, është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Pavarësisht këtyre rasteve, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha për Express Gjatë 24 orëve të fundit, situata vlerësohet të jetë stabile dhe e qetë me disa raste të shënuara.
“Situata e sigurisë në vend vlerësohet të jetë e qetë dhe stabile, përderisa njësitet policore po punojnë në vazhdimësi në menaxhimin e situatës se sigurisë në gjithë vendin, mbajtjen e rendit publik, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, ruajtjen e pronës private dhe publike si dhe parandalimin dhe luftimin e veprave penale në përgjithësi. Janë shënuar incidente te llojeve te ndryshme dhe aksidente ne trafik gjate 24 orëve të kaluara të cilat raste janë menaxhuar nga Policia si dhe janë ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për procedim te mëtejmë”, tha Hoxha.
Sa i përket aksidenteve në trafik, sipas Hoxhës, fatmirësisht nuk ka ndonjë aksident me fatalitet.