Shqipëria një vend i vogël në Europën Juglindore, është shndërruar në epiqendrën e tregut europian të drogës, në veçanti të marijuanës, thuhet në shkrimin e “The Huffington Post”, që sot e transmeton Shekulli. Kjo nuk vjen si surprizë.
Me vijën e saj të gjatë bregdetare në Adriatik, kjo zonë e Ballkanit ka qenë për një kohë të gjatë rruga kryesore e kontrabandës, armëve dhe drogës, që shkojnë deri në zemër të Europës. Ky aktivitet për pasojë ka përforcuar rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në politikë, në një vend që përballet ende me shumë sfida brenda tij.
Por çfarë e bën situatën të veçantë janë akuzat, sidomos ato që vijnë nga Partia Demokratike e opozitës, se drejtues të lartë të Partisë Socialiste janë të lidhur apo përfitojnë nga tregtia e drogës. Kryeministri Edi Rama është akuzuar në mënyrë të përsëritur se nuk ia doli t’i jepte fund rolit të Shqipërisë në tregun e drogës. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzohet se mbrojti dhe bile mbuloi, njerëz të përfshirë në trafik droge.
Këto akuza ngrenë një pyetje: Çfarë e shtyn mundësisht elitën qeverisëse në Shqipëri të lidhet me botën e errët të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës?
Ndoshta janë përfitimet personale. Ndoshta kjo është pjesë e një plani më të gjerë për të mbajtur pushtetin. Shqipëria vuan gjithashtu nga korrupsioni politik dhe ekonomik, pothuajse njësoj me pjesën tjetër të Ballkanit. Me miliona dollarë mund të blesh shumë gjyqtarë, gazetarë e prokurorë dhe mund të të ndihmojnë për të siguruar një fitore të mirë elektorale në të ardhmen.
Cilado qoftë arsyeja, diçka e fshehtë po ndodh.
Në fillim të muajit të shkuar, një pilot italian, Andrea Guidi, ra me avionin e tij në një fushë në veri të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Fillimisht Guidi pretendoi se fluturoi mbi Shqipëri për arsye shplodhëse. Megjithatë, një gazetar i quajtur Artan Hoxha bëri publike se piloti u kishte rrëfyer prokurorëve se ai do të kontrollonte terrenin, para se të kthehej 20 ditë më vonë, për të marrë 200 kilogram kanabis. Duke marrë parasysh edhe historitë e tjera të avionëve të vegjël, që përdoren për të transportuar drogën jashtë Shqipërisë, ky shpjegim dukej i besueshëm.
Menjëherë autoritetet e shoqëruan z. Hoxha, zyrtarisht për publikimin e një informacioni sensitiv për publikun. Komploti u plotësua kur Partia Demokratike e opozitës bëri të ditur se informacioni i shpërndarë nga z. Hoxha ishte dhënë nga ministri i Brendshëm Tahiri, si dredhi “për të kompromentuar hetimet” dhe për të mbuluar veprimet kriminale të trafikantëve të drogës.
Në fillim të vitit, autoritetet greke akuzuan qeverinë shqiptare se po mbronte dhe po e mbulonte Klemend Balilin, një biznesmen shqiptar i emëruar në administratën lokale në Sarandë. Balili dyshohet se është në krye të një linje të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Europën Perëndimore. Sërish, Partia Demokratike e drejtoi gishtin menjëherë nga lidhjet e Balilit në politikë dhe e akuzoi Saimir Tahirin se po mbronte bosin e akuzuar të drogës.
Paqëndrueshmëria e qeverisë për t’i dhënë fund problemit të drogës, ngjall mosbesim. Vitin e kaluar autoritetet shqiptare thanë se shkatërruan 99.2% të drogës në vend. Kjo është e çuditshme. Sepse këtë vit policia pretendon se shkatërroi 1.7 milion bimë narkotike, që është tre herë më shumë se sasia e shkatërruar vitin e kaluar. Llogaritë nuk dalin.
Nga shumë pikëpamje, një vend si Shqipëria është i pjekur në këto afera korrupsioni dhe krimi. Renditet në vendin e 88 në botë në indeksin e korrupsionit në raportin e Transparency International. Ndërkohë Fondacioni Heritage dha vlerësimin “e frustruar” për ekonominë shqiptare, vlerësimi më i ulët i mundshëm në kategorinë e korrupsionit.
E megjithatë, Shqipëria ka shumë arsye për të qenë krenare. Vendi u bë anëtar me të drejta të plota i NATO-s në vitin 2008, duke u bërë kështu vendi i vetëm me shumicë myslimane që i bashkohet aleancës. Në 2014 u bë kandidat për në bashkimin Europian. Për një vend si ky, pjesë e një rajoni të turbulluar, me ekonomi të frustruar dhe të shqyer nga luftëra, këto janë arritje domethënëse.
Por niveli i korrupsionit, që buron nga elita politike dhe roli që luan vendi tregtinë e drogës- dy fenomene ku janë të dyshuar drejtues të lartë të qeverisë- duhet të shqetësojë politikbërësit në Uashington dhe kudo nëpër Europë.
Kjo që po ndodh, nuk është thjesht e papërshtatshme për një vend që aspiron të bëhet anëtar i komunitetit Euro-Atlantik, por njëkohësisht përmban rrezikun për të destabilizuar më tej një rajon të paqëndrueshëm.