Policia e Kosovës në Deçan ka arrestuar gjashtë persona për vjedhje nëpër shtëpi, banesa e dyqane të këtij qyteti.
Njësia e Hetimeve e stacionit policor në Deçan, në bashkëpunim me njësitë tjera dhe në bashkëpunim me qytetarët e Deçanit, gjatë një pune operative – hetimore, ka arritur që të identifikojë dhe të arrestojë një grup të personave të dyshuar, që në bashkëpunim kanë kryer disa vjedhje nëpër territorin e Deçanit, vepra penale të kryera në vitin 2016/2017 dhe më herët.
Këto vepra penale, kryesisht janë vjedhje të rënda dhe vjedhje të ndodhura në shtëpi, banesa dhe dyqane afariste të qytetarëve të Deçanit me rrethinë, transmeton Koha.net.
Personat e dyshuar që janë arrestuar dhe proceduar tutje në këto raste janë:
L. B. (mashkull, 21 vjeçar),
Q. K. (mashkull, 18 vjeçar),
I. GJ. (mashkull, 23 vjeçar),
L. M. (mashkull, 23 vjeçar),
E. GJ. (mashkull, 22 vjeçar),
E. V. (mashkull, 21 vjeçar), si dhe katër (4) persona tjerë të dyshuar për blerje të mallrave të vjedhura nga të dyshuarit e rasteve.
Në total kanë qenë 21 raste të raportuara të këtyre veprave që dyshohet që janë kryer nga ky grup personash.
Gjatë hetimit dhe procedimit të këtyre rasteve, janë gjetur gjësendet e vjedhura që kanë ndodhur në disa shkolla, të cilat janë sekuestruar, disa llaptopë, projektorë e pajisje të tjera, të cilat u janë kthyer pronarëve dhe shkollave në fjalë.
Gjithashtu nga të dyshuarit në këto raste janë sekuestruar edhe mjete tjera të kundërligjshme, armë automatike, revole e municione përcjellëse dhe pushkë ajrore.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët e kësaj zone të cilët kanë bashkëpunuar dhe kanë ndihmuar Policinë pa hezituar në raportim të dukurive negative kriminale brenda shoqërisë sonë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund dhe duhet të krijojmë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në komunën e Deçanit dhe zonën në përgjithësi. Andaj, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen me Policinë e shtetit të Kosovës.