Abazi: Thaçi nga nëntoka tentoi t’i përçante njerëzit e luftës

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, duke folur rreth Betejës së Koshares ka thënë që kjo betejë është dëshmi se në Kosovë gjatë luftës ka pasur djem dhe vajza që kanë luftuar seriozisht përkundër përpjekjeve për përçarje në krye të të cilave qëndronte Hashim Thaçi.

Tendencat për përçarje, sipas Abazit, vinin nga njerëzit që bënin jetë luksi dhe me agjenda të dyshimta mblidhnin fonde.

“Beteja e Kosharës në fakt vërteton se kishte luftëtarë të vërtetë që po luftonin për lirinë, shtetësinë dhe pavarësinë dhe kishte njerëz me agjende të dyshimtë që po mblidhnin fonde dhe po bënin jetë luksi”, ka thënë Abazi për Blic.

“Është Beteja e Prekazit, Koshares, Dukagjinit, Likoshanit që tregojnë se ata ishin djemtë e vajzat e lirisë e që nuk pranuan ndarjen e përçarjen që nëntoka e ilegales “marksiste leniniste” e udhëhequr nga Thaçi propagandonte urrejtje dhe ndarje”, ka shtuar ai.

“Në atë kohë njerëzit dënoheshin nëse ishin pro Rugovës apo nëse nuk ishin pro Thaçit. Ndërsa sot pa turp tentohet të merret kredi, por Familja Jashari ua tregoi vendin të gjithë atyre që rrahin gjoks në emër të luftës”, vazhdon Abazi.

“Ata nuk kanë arritur ta ndajnë vendin. Për çdo ditë njerëzit po kuptojnë që ka qenë farsë për të ndarë dhe për të mbajtur kontroll. Asaj shkolle të përçarjes po i vjen fundi”, ka përfunduar ai.