Tronditet shëndetësia në dy shtete: Arrestohet pronari i “Sante Plus”, Bilal Kara, i cili kërkohet edhe nga Shqipëria!

Bilal Kara, pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, dhe Geriana Arapi, ish-drejtuese e klinikës, janë arrestuar në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që prej më shumë se një viti kërkoheshin edhe nga autoritetet shqiptare.

Arrestimet janë raportuar më 29 tetor, në kuadër të një operacioni të gjerë policor lidhur me dyshimet për keqpërdorime financiare gjatë operacioneve të syve dhe përfshirjen e zyrtarëve të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

Në këtë operacion janë ndaluar tetë persona, ndërsa kallëzime penale janë ngritur ndaj 11 individëve dhe një institucioni privat shëndetësor. Sipas hetimeve, dyshohet se ndërhyrjet kirurgjikale janë faturuar njëkohësisht te pacientët dhe Fondi. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 50.000 euro.

Por problemet ligjore të “Sante Plus” nuk janë të reja. Në shtator të vitit 2025, policia shqiptare bllokoi klinikën “International Medicare” në Tiranë, e njohur më parë si “Sante Plus”, për shkak të dyshimeve për evazion fiskal mbi një milion euro, përdorim dokumentesh të pafiskalizuara dhe parregullsi të tjera.

Në atë kohë, Bilal Kara dhe Geriana Arapi u shpallën në kërkim, ndërsa administratori i regjistruar i klinikës, Edmond Zaja, u arrestua.

Më herët, mediat shqiptare kishin publikuar denoncime të pacientëve për komplikacione pas ndërhyrjeve estetike dhe dentare. Një shtetas portugez pretendonte se kishte paguar 5.200 euro për tri ndërhyrje që nuk ishin realizuar.

Në tetor të vitit 2025, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi sekuestro konservative mbi pasuritë e kompanive “International Medicare” dhe “Sante Plus Group”.

Arrestimet e fundit në Maqedoninë e Veriut dhe hetimet në Shqipëri janë procedime të ndara, ndërsa mbetet të shihet se si do të vijojë bashkëpunimi mes autoriteteve të dy vendeve.

Përgjegjësia penale e personave të përfshirë mbetet për t’u përcaktuar nga gjykatat./JOQ

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme