Abdixhiku pret garë të fortë në zgjedhjet e ardhshme

Opinionisti Lumir Abdixhiku thotë se të gjitha forcat politike janë afruar në përqindje te njëra-tjetra dhe pret që në zgjedhjet e ardhshme të ketë garë të fortë për partinë e parë në vend.

Ai ka kritikuar koalicionin aktual qeverisës duke thënë se tashmë ka nisur fushatën dhe po ngjan në frymën e shkuar “kur qeverisin bashkë tre vjet e shahen tre muaj”.

Abdixhiku në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nëse zgjedhjet nuk zhvillohen në muajt maj apo qershor, nuk pret që zgjedhjet të zhvillohen para përmbylljes së mandatit aktual. Ai thotë se nëse një parti dëshiron të fitojë zgjedhjet e ardhshme, vështirë se këtë mund ta bëjë e vetme.

“E shoh një pakënaqësi qytetare, por jo akumulim te opozita. Do të ishte e pritshme që një parti opozitare të artikulojë këtë pakënaqësi. Do të varet nga goditja që do të pësojë PDK-ja. E saktë është afërsia e të gjitha partive politike në një rezultat. Shoh se do të ketë koalicione për të dalë i pari. Pasi që Kushtetuta parasheh që partia e parë fiton zgjedhjet, duhet të ketë koalicione për të dalë të parët”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka folur edhe për zërat që atë e fusin në garë politike duke thënë se aktualisht nuk është i mendimit që të përfshihet në politikë për shkak të arrogancës në skenën politike në vend.

“Çështjen e participimit politik e marr me kohë. Në këtë kohë nuk shoh arsye për të ndryshuar mendimin tim. Nuk ka diskutime për formën e garimit në zgjedhje. Gjithsesi, natyrisht që ka diskutim në partitë politike. Të them të drejtën pa qenë arrogant nuk mund të qëndrosh në këtë skenë politike”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka komentuar edhe fotografinë e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti në një jaht në Mal të Zi duke thënë se Ahmeti duhet të sqarojë vetë fotografinë dhe një foto e tillë nuk duhet të zhbëjë punën që ka bërë si kryetar i kryeqytetit.

“Pa paragjykime. Çfarë mund të them është se me bindje të plotë, në politikë vendimet maten në vazhdimësi. Nëse ka diçka konsistente për Ahmetin është mospërfshirja në afera korruptive dhe një foto e tillë nuk mund të zhbëjë punën e bërë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sa i përket unionit të përbashkët doganor në Ballkanin Perëndimor, Abdixhiku ka mbrojtur vendimin e Qeverisë për të dalë kundër sepse ka thënë se pranimi i një unioni të tillë do të ishte “dorëzim ekonomik”.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme