Kryetari i Alternativa-s, Afrim Gashi duke folur për vitin shkollor, tha se vlerësimi i tyre është se ky vit shkollor ka dështuar.

“Jam i bindur se prindërit e ndjenjë këtë qe po e them dhe kjo s’ka fare të bëj me një akuzë partiake apo politike, e raportit opozitë pushtet. Kisha qenë njeriu më i lumtur duke u nisur nga vajzat e mia që janë në shkollë fillore, do kisha dashur që ata këtë vit të ishte i suksesshëm, të gjitha shkollat. Por, me keqardhje e them se ky vit ka lënë shumë për të dëshiruar, mos të them, totalisht i dështuar”, tha Gashi.
Ai tha se njëjtë si me pandeminë, pushteti nuk dëshironte të dëgjoj se çfarë flet opozita apo ekspertët arsimor.

“Kokë më vete i hyjnë këtij procesi, duke mos sjellë asgjë, dhe duke e lënë shumë të mangët procesin arsimor gjatë këtij viti”, u shpreh Gashi.

Sa i përket digjitalizimit ai tha se ata si parti nuk kanë qenë kundër digjitalizimit si parim, si koncept i ri. “Por tentativa e pushtetit ishte që digjitalizimi të bëhet tërësisht dhe të zhduket libri nga dora e nxënësve. Mendojmë se, edhe ekspertët dhe njohësit e arsimit është konstatuar se libri si mjet mësimor është mjet i pazëvendësueshëm. Andaj digjitalizimi mund të përdoret si mjet plotësuese por jo që librat të tërhiqen tërësisht nga përdorimi”, deklaroi Gashi. /SHENJA/