Koncepti i barazisë gjinore, është tregues esencial social, me të cilin mund të vlerësohet niveli i emancipimit të shoqërisë. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti për katër vite e ka pasur “plot gojën” me termin barazi.
Ai zgjodhi që rreth vetës në punët e Komunës jetë i rrethuar më burra. Komuna e Prishtinës, aktualisht ka 13 drejtori. Akoma nuk është zyrtarizuar drejtori i Shërbimeve Publike. Nga këto dikastere, vetëm një është emëruar grua, Nora Kelmendi – drejtore e drejtorisë së Kadastrit. Ndërsa në 11 janë emëruar burra, shkruan lajmi.net.
Edhe pse në shumë raste nuk respektohet Ligji për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë në institucione vendimmarrëse, bazuar në premtimet e marra nga kandidatët të cilët janë vënë përballë njëri-tjetrit në balotazh, ky numër synohej të ishte i barabartë.
Në mandatin e parë, Ahmeti kishte të emëruar vetem dy drejtorë të gjinisë femërore, gjë për të cilën kishte marrë kritika të ashpra. Por, Ahmeti në “Debat Përnime” te Jeta në Kosovë kishte premtuar se nëse do të rizgjidhet prapë kryetar i Prishtinës do të ketë synim që të emërojë gratë në krye të gjysmës së drejtorive.
“Do të mundohemi ta arrijmë kuotën, por megjithatë nuk do të shkojmë që vetëm për të treguar që ka barazi gjinore duhet ta kemi gjysmën, por megjithatë synojmë që gjysma e drejtorive të jenë gra”, kishte thënë Ahmeti.
Shpend Ahmeti është në koalicion qeverisës me AKR-në e AAK-në.
Tetë drejtor janë të përzgjedhur nga kampi i Shpend Ahmetit. Pos nënkryetarit, dy drejtor janë emëruar nga radhët e AKR -Inspektoratit dhe Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave. Ahmeti ka paralajmëruar se do të themelojë edhe drejtorinë e menaxhimit të paçeve, me të cilën do të udhëheqë AKR-ja.
Aktualisht AAK-ja udhëheqë dy drejtoi në Prishtinë, të Arsimit dhe Inspektoratin. Edhe drejtori i Shërbimeve Publike pritët të emërohet nga kjo parti.
Ligji për Barazi Gjinore të Kosovës i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015, obligon që të ketë përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha institucionet përfshirë edhe ato vendimmarrëse.
“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, thuhet në nenin 6 pikën 8 të Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës. /Lajmi.net/