Drejtori i Fondacionit ‘Rockefeller Brothers’ për Ballkanin Perëndimor, Haki Abazi ka analizuar veprimet që mund të ndërmerren nga Gjykata Speciale dhe efektet e saj në jetën politike në Kosovë për vitin 2017.
I ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, ai ka folur për parashikimet e tij për të ardhmen e koalicionit qeveritar në mes të PDK-së dhe LDK-së.
Abazi ka shprehur edhe qëndrimet e tij rreth zhvillimeve të deritanishme dhe veprimeve që mund t’i ndërmarrë Gjykata Speciale në këtë vit.
Ai ka thënë se Gjykata tashmë ka kryer të gjitha fazat e kornizës ligjore dhe nuk ka më arsye të ketë vonesa për veprime konkrete apo aktakuza.
“Do të jetë e vështirë për një institucion i cili e ka kry fazën e kornizës ligjore, miratimeve të duhura që të vazhdojë të mbajë peng një proces i cili realisht është dizajnuar për t’i adresuar çështjet të cilat po e mbajnë Kosovën peng sepse nuk mund të paragjykojmë vendimin e fundit të Gjykatës Speciale por si proces është duke e mbajtur peng”, tha Abazi.
Në këtë intervistë e cila do të transmetohet sonte në RTK në orën 20:15, Haki Abazi analizoi edhe zhvillime të tjera në vend gjatë vitit 2016 duke përfshirë ngjarjet në veri të Mitrovicës, korrupsionin, rezultatet e testit PISA.