Albin Kurti:Adem Jashari dhe UÇK u harruan kur u hartua Kushtetuta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në seancën ku po diskutohet projektligji për Veteranët e luftës ka thënë se nuk arrihet drejtësi më projektligje të tilla.

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme, Kurti tha se Qeveria e Kosovës i ka cilësuar veteranët e luftës si problem politik e social dhe se Qeveria nuk është e interesuar që të pastrohet lista e veteranëve me luftëtarët e pasluftës.

Kurti ka kritikuar edhe organizatat e dala nga lufta të cilat sipas tij, nuk e kanë ngritur zërin për të mbrojtur ushtrinë çlirimtare.

“Organizatat e dala nga lufta është dashur që të mbrojnë Adem Jasharin dhe UÇK-në, kur është hartuar Kushtetua, aty është harruar UÇK-ja e Adem Jashari.

Tani të përmendet UÇK-ja e Adem Jashari ku bëhet fjalë për pare, nuk besoj që i bën mirë as UÇK-së e as Adem Jasharit”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.

Kurti ka shtuar se shumë veteranë kanë bërë vetëvrasje nga varfëria ndërsa disa të tjerë janë bërë milioner. /albeu.com/