Gazetar: Suad Bajrami
Kuvendi Qendror i Alternativës vendosi për shkrirjen e saj në partinë VLEN dhe me këtë rast i pushoi të gjitha organet partiake. Bekim Sali u autorizua me mandat të plotë, që t’i vazhdojë bisedimet për unifikimin, ndërsa para nënshkrimit final duhet të sqarohen detajet.
“Kuvendi Qendror sugjeron që, para nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare për unifikimin e VLEN-it në një subjekt politik, të detajohen edhe të drejtat dhe detyrimet e secilit organ të partisë së ardhshme VLEN”, thuhet në njoftimin e Alternativës.
Me vendimin e Alternativës, u përmbyll dhe procesi i vendimeve të partive të koalicionit, të cilat mbështetën këtë nismë. Bilall Kasami nga VLEN, thotë për Alsat se tanimë janë plotësuar të gjitha kushtet që të në bazë të marrëveshjes paraprake të nis procesi i shkrirjes apo procesi i ngritjes së strukturave të përbashkëta të subjektit të ri.
“Ajo që pritet të hapet në ditët në vijim është të formohet grup pune i cili do të detajojë edhe programin, statutin e subjektit të ri dhe dinamikën e ngritjes së strukturave të përbashkëta qendrore dhe lokale, me çka do të plotësohen edhe kushtet për thirrjen edhe të kongresit të parë i cili do të formalizojë gjithë këtë proces”, tha Bilall Kasami nga VLEN.
Sipas dakordimit, partia VLEN do të ketë dy kryetarë Bilall Kasamin dhe Izet Mexhiti, dy nënkryetarë Bekim Qokun dhe Ilir Demirin ose Mimoza Musën, ndërsa sekretar i përgjithshëm do të jetë Bekim Sali. Jashtë strukturës udhëheqëse, mbetën Arben Fetai dhe Fatmir Limani.



