Sot (më 6 nëntor) kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, mori pjesë në panelin e organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung” me temë “Partitë popullore konservatore – ndërtimi i urave drejt ardhmërisë së përbashkët në BE”.
Në këtë panel mori pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, nga Partia Demokratike e Shqipërisë pjesëmarrës ishte Arban Kashahu, si dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Për shkak të pandemisë dhe gjendjes politike të krijuar në Kosovë, pjesëmarrësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk arrit të marrë pjesë.
Gjatë fjalimit të tij, kryetari Gashi foli për rëndësinë e partive konservatore në vend dhe rajon, si dhe për të djathtën si ideologji identitare të Alternativës.
“Kombi, gjuha, tradita, familja tradicionale dhe ruajtja e vlerave konservatore janë shtyllat e rrugëtimit tonë politik”, theksoi ai. Sipas tij, detyra e partive popullore konservatore në rajon është pikërisht krijimi i urave të bashkëpunimit për agjendën e përbashkët euro-integruese.
Bashkë me kryetarin Gashi në këtë takim morën pjesë edhe nënkryetari i partisë, Admirim Haliti, deputetja Safije Sadiki-Shaini dhe anëtarja e Kryesisë Qendrore, Nafije Selmani.