Nga Kim Mehmeti
Kanë të drejtë ata që thonë se Qeveria e Kosovës nuk bëri sa duhet për t’i ndihmuar të akuzuarit në Gjykatën Speciale të Hagës.
Kanë të drejtë, sepse nuk mjafton vetëm t’ua paguash avokatët mbrojtës, por ka edhe shumë aktivitete të tjera që mund ta shpërfaqin të vërtetën për ta dhe për luftën çlirimtare të UÇK-së.
Por gjithë këta kritikues të qeverisë duhet t’ia bëjnë vetes një pyetje: Çfarë bënë ata që bota ta kuptonte se Gjykata e Hagës ishte një krijesë monstruoze që nuk mund të bënte asgjë më shumë sesa të prodhonte dënime monstruoze ndaj atyre që jetën e flijuan për lirinë e popullit të vet?
Pra, çfarë bënë për shembull OVL-ja apo PDK-ja për t’i ndihmuar të paraburgosurit në Hagë, përveç që organizuan protesta në Prishtinë e Tiranë, të cilat më shumë kishin karakter anti-VV sesa pro drejtësisë, si dhe deklaratave të “ganeve” e “vlorave” se i gëzohen kthimit të çlirimtarëve, por, siç duket, jo gjithaq pse ata do ta jetonin lirinë e merituar, por sepse – në emër të vuajtjeve të tyre – partia që ata drejtonin do të mund t’i fitonte zgjedhjet.
Ku ta dish, mbase OVL-ja dhe PDK-ja nuk organizuan asnjë tribunë që botës t’ia dëshmonin pastërtinë e çlirimtarëve, nuk financuan asnjë film dokumentar për ta afirmuar luftën e drejtë të UÇK-së, nuk stimuluan historian e shkrimtarët të shkruanin për luftën heroike të luftëtarëve të liris…, sepse prisnin që Grenelli t’u lajmërohej gjyqtarëve të Hagës e t’u thoshte: ‘Mjerë ju nëse do të guxoni ta dënonin Xhorxh Uashingtonin shqiptar!’
Pra, ata mbase ishin të sigurt se, si gjithmonë, punën tonë do ta kryenin miqtë tanë perëndimorë.
Dhe të verbuar nga kjo bindje, ata edhe nuk e shihnin se Grenelli prej moti kishte kaluar në lobin proserb, se atë e kishte dekoruar Presidenti serb, se ai e luftonte Kurtin ngaqë besonte se ish-presidenti i akuzuar në Hagë ishte bashkëbisedues shumë më i lehtë për Vuçiqin.
E sa i përket Piktorit, atë nuk duhet pyetur se pse aq shumë u angazhuar që bota të kishte mirëkuptim ndaj shovinizmit serb e nuk bëri asgjë për të mirën e Kosovës, atë nuk duhet pyetur as pse partia e tij nuk e lejoi miratimin e rezolutës kundër gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës, sepse ai ishte i zënë me aktivitete shumë më ‘strategjike’, si për shembull me afirmimin e projektit ruso-serb – ‘Ballkanin e Hapur’, si dhe me realizimin e projektit cionist – me themelimin e ‘Shtetit Bektashi’.
Dhe kur i merr dhe i analizon të gjitha këto paradokse shqiptare, përnjëherë e kupton sa të paktë janë projektet shqiptare pro të mirës së vet dhe sa të shumtë janë projektet e tyre strategjike për zhbërjen e shqiptarisë, e ku nuk mungojnë as ato me shenjën fetare, siç është për shembull ai i antishqiptarëve të ‘Lëvizjes së Deçanit’, që donë të na bind se fetë, e jo atdhetaria e patriotizmi, e forcojnë dhe e dobësojnë boshtin kurrizorë të shqiptarisë?
Pra, e kupton se perversiteti ynë ka përmasa monstruoze dhe se ne aq shumë jemi armiqësuar me vetveten, sa nuk kemi më nevojë për armiq të jashtëm.
The post Analiza/ Kim Mehmeti: Kosova në Hagë, ndërsa Piktori promovonte projektin ruso-serb “Ballkani i Hapur” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



