Asfalti 1.2 milionë eurosh në rrugën Lipjan-Magure i shtruar vitin e kaluar bëhet gropa-gropa

Rruga Lipjan – Magure është mbushur me gropa, përkundër që është shtruar vitin e kaluar. Kjo rrugë që i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 1,2 milionë euro është mbushur me gropa.

Banorët e disa fshatrave të Komunës së Lipjanit janë ankuar për cilësinë e asfaltit, madje thonë se baza e asfaltit nuk është shtruar siç është standardi.

“Veç sa me than që kjo rrugë është e shtruar, se faktikisht nuk është bërë asgjë në këtë rrugë. Kjo është aq e prishur, për tre muaj që është përfunduar tash veç kanë fillu gropa mu bo. Këta janë tu shtruar lloq. Baza është krejt lloq”, tha Milaim Metaj, nga fshatit Magure

Ai ka paralajmëruar se nuk do ta lejojnë kompaninë e njëjtë që t’i mbushin gropat, pasi do të bllokojnë rrugën bashkë me banorët e fshatrave tjera (Magures, Qylagës, Poturovcit, Torinës)

Edhe Gzim Bytyqi, përfaqësues i banorëve i fshatit Qylagë tha se kjo punë është e dështuar.

“Si punë e kësaj rruge që është bo po shihet që është punë e dështuar. Shtresa e parë e asfaltit ka përfunduar. Pretendohet edhe një shtresë e dytë po ne e dimë çfarë baze ka edhe 10 shtresa me ja dhënë kjo rrugë është tërësisht e dështuar”, shtoi Bytyqi.

Kjo rrugë sipas tij i lidh 10 fshatra me aeroport.

KALLXO.com, ka kontaktuar me kompaninë e cila e ka bërë asfaltimin e kësaj rruge Trasing Group.

Drejtori i kësaj kompanie, Visar Berisha me e-mail, ka njoftuar se projekti nuk ka përfunduar dhe së është duke u punuar.

Ndërkaq ka treguar edhe arsyen e dëmtimeve.

“Arsyeja e dëmtimeve është si rezultat i ngarkesave të mëdha të cilat nuk kanë pas mundësi të devijohen gjatë realizimit të punëve përkatësisht para punimit të shtresës së dytë të asfaltit dhe si rezultat i këtyre ngarkesave dhe sasia e madhe e ujërave në atë pjesë ka bërë që vetëm një shtresë asfalti nuk ka mund të përballoj. Sa i përket trupit të rrugës është në rregull pra ka dëmtime vetëm në shtresën e asfaltit për arsyet e lart cekura”, thuhet në përgjigje.

Sipas ‘Trasing Group’, Ministria e Infrastrukturës ka qenë vazhdimisht në kontakt përmes organit mbikëqyrës dhe ka ndalë pagesa në vlerë të dyfishtë të dëmtimeve deri sa të sanohen.

“Punimet në atë pjesë nuk kanë përfunduar është duke u punuar dhe do të sanohen ato pjesë dhe to të punohet shtresa e dytë e asfaltit”, thuhet në përgjigje duke shtuar se pranimi teknik nuk është bërë ende.

Trasing Group u zotua se përgjegjësia bie mbi ta dhe se do të trajtoj të gjitha defektet.

E në ministrin e Infrastrukturës tregojnë se e kanë ndryshuar projektin në mes të realizimit të tij. Avdyl Ymeri, menaxher i projektit nga Ministria e infrastrukturës tha për KALLXO.com se ndërtimi i rrugës Lipjan-Magurë është projekt i cili nuk ka përfunduar akoma, ngase është projekt i ndarë me buxhet për tri vite.

Sipas tij punimet në këtë rrugë kanë filluar me datë 15 tetor 2016 dhe janë mbyllë me 24 dhjetor 2016. Në vitin e dytë 2017 kanë filluar me 20 mars 2017 dhe janë mbyllur me 04 dhjetor 2017, ndërsa në vitin e tretë të ndërtimit 2018 është startuar me punë me 03 prill 2018 dhe janë në vijim e sipër.

Sipas tij çmimi i kësaj rruge ka kushtuar në kontratën bazë 1,164,689.24 euro, aneks kontrata 113,740.58 euro.

Kjo ministri thotë se do të ketë një kontratë të re për një punë që ishte planifikuar në kontratën e parë, e që është shtrimi i shtresës së dytë të asfaltit.

“Ministria e Infrastrukturës me anën e komisionit nga kontrata bazë ka hequr shtresën e dytë të asfaltit që kap vlerën prej 217,255.94 euro (shtresa e dytë e kësaj kontrate është shpall si fazë e veçantë ndërtimi), në vend të kësaj vlera është duke u kryer kanalizimi atmosferik dhe punë tjera të drenimit që kapin vlerën monetare prej 166,760.41 euro. Prandaj shuma totale e kontratës është 1,227,934.05 euro”, tha Ymeri.

Sipas Ymerit, në pjesën e asfaltuar ka pasur dëmtime prej 3,961 m2 asfalt dhe kompanisë sipas tij nuk i janë faturuar/paguar deri në momentin kur të bëjë sanimet.

“Sasia prej 9,750m2 asfalt, që kap vlerën e dyfishit të dëmeve të ndodhura në trase. Përveç kësaj në emër të ruajtjes për siguri të punimeve i është ndalë 10% e punimeve të kryera 68,424.70 euro”, shtoi Ymeri.

Sipas MI në bazë të statistikave 55 për qind e rrugës nuk ka përfunduar akoma dhe se ka dhe do të ketë mbikëqyrje nga MI deri në përfundim të projektit./Kallxo.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme