E diel, 13 Nentor 2016 – Sakte.net /
Modeli i quajtur Audi R8 Star of Lucis është projekti për tregun japonez, ku si bazë për ndërtimin e tij ishte koncepti nga loja e ardhshme “Final Fantasy XV”.
Audi këtë R8 special e ka ndërtuar në bashkëpunim me kompaninë Square Enix. Ky R8 nuk vjen me të gjitha performancat që i ka në lojë.
Sipas dy kompanive, R8 Star of Lucis është krijuar sipas kurorës së princit të mbretërisë fiktive të Lucisit. Siç mund të shohim nga fotografitë, eksterieri i R8 Star of Lucis është me ngjyrë fisnike të kësaj mbretërie, ngjyra e zezë, transmeton Koha.net. Po ashtu, mund të shohim edhe se disa pjesë të eksterierit janë të zbukuruar me stilin arabeskë të “orakullit nga fisi Tenebrae [i cili] jep paqe, bekim dhe mirëqenie”..
Gjithashtu, edhe rrotat e R8 Star of Lucis kanë një dizajn të veçantë që ngjason në trëndafila të thurura me elemente nga “shpatat e mirë-skalitura” të mbretërisë.
Sa i përket interierit, R8 Star of Lucis po ashtu vjen me një interier me dizajn të veçantë i cili përbëhet nga disa elemente me ngjyrë portokalli, sistemin e zërimit Bang & Olufsen, instrument-tabelën e quajtur Virtual Cockpit, si dhe me mundësi për kyçje në internet.
Audi R8 Star of Lucis vjen me motor 5.2-litër V10, të huazuar nga R8 Plus, me kapacitet prej 449 kW ose 610 kuajfuqi, në kombinim me marshin me shtatë shpejtësi, si dhe vjen me sistemin e tërheqjes në të gjitha rrotat, transmeton Koha.net. Ky model special shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë e arrin për vetëm 3,2 sekonda, ndërsa atë maksimale deri në 330 km/h.
Çmimi i këtij modeli special në Japoni kushton rreth 620 mijë dollarë, ndërkaq të interesuarit për blerjen e këtij modeli do të përzgjidhen në bazë të një sistemi llotarie i cili do të hapet nga 21 nëntori.