Avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut Erion Veliaj i kanë drejtuar një kërkesë SPAK-ut për të zhvilluar një takim me të në paraburgim më 10 shtator.
Sipas kërkesës, avokatët duhet të takojnë Veliajn për t’i marrë firmën mbi apelin që pritet të dërgohet në Gjykatën e Strasburgut, lidhur me çështjen e arrestit të tij.
Ky do të jetë takimi i dytë i avokatëve ndërkombëtarë me kryebashkiakun, pas atij të zhvilluar më 28 korrik. Në atë rast, Veliaj qëndroi për rreth pesë orë me dy avokatët britanikë të studios ndërkombëtare “Mishcon de Reya”, Ben Brandon dhe Celia Marr.
Ndërkohë, më 2 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Veliajt për të kundërshtuar pezullimin e afateve të paraburgimit, të vendosur më herët nga GJKKO.
Mbrojtja ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë, duke argumentuar se zvarritja e procesit nuk ka ardhur për shkak të Veliajt. Sipas avokatëve, në një prej seancave ka munguar mbrojtësi i Ajola Xoxës, Maksim Haxhia, ndërsa në një tjetër avokati i një të pandehuri tjetër.
Erion Veliaj vijon të qëndrojë në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të SPAK.
The post Avokatët ndërkombëtarë të Veliajt kërkojnë të takohen me të në paraburgim më 10 shtator appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



