Ballkani, vatra e tretë e konfliktit botëror

Autore: Edith Harxhi

Ballkani këto ditë ka treguar se sa i rëndësishëm është për sigurinë e Europës. Në një moment kur vëmendja europiane në lidhje me sigurinë ishte kthyer drejt vendeve baltike dhe dërgimit të trupave të specializuar të ushtrisë amerikane në kufirin lindor të Polonisë, në kulmin e debatit ndërkombëtar në lidhje me krijimin e sistemit të ri ndërkombëtar trepolar Amerikë, Rusi, Kinë, siç edhe e etiketuan rendin e ri botëror pas datës 8 nëntor 2016 dy ikonat e diplomacisë dhe gjeopolitikës botërore, Kissinger dhe Berzhinski, Rusia vendos të hapë një vatër të tretë konflikti ndërkombëtar pas Krimesë dhe Sirisë.

Hapja e vatrës së re në Ballkan u bë si për të ngritur stekën e bisedimeve të pritshme ndërkombëtare dhe për të ulur përfundimisht në tryezë bisedimesh Presidentin e ri amerikan Donald Trump dhe administratën e re të Sigurisë në Amerikë. Presioni në rritje i Rusisë ndaj SHBA-ve tregon pasigurinë ruse në lidhje me papritshmëritë që tregoi fitorja e Trump dhe mposhtjen e statuskuosë në marrëdhënie ndërkombëtare.

I pyetur sot nga e famshmja “Politico” e Brukselit, se si do ta perifrazonte politikën e jashtme amerikane gjatë 8 viteve të fundit, këshilltari i Presidentit Obama për politikë të jashtme, Ben Rhodes, u përgjigj me një fjalë “engagement”, që do të thotë “angazhim”. A është kjo çfarë priste Europa nga SHBA-të në fund të vitit 2016?

A është kjo çfarë priste Ballkani nga SHBA-të? A është kjo çfarë prisnin sirianët e përvuajtur të golgotës së Alepit? A është kjo çfarë prisnin ukrainasit në kufijtë e Donetskut apo lituanezët, estonezët, polakët dhe moldavët? Thjesht angazhim? Ballkani po kërcënohet përsëri nga mungesa e gjatë disavjeçare e vëmendjes së SHBAve. Ballkani po kërcënohet përsëri nga pavendosmëria dhe paaftësia europiane për të mbrojtur sigurinë e saj. Ballkani po kërcënohet përsëri dhe nëpërmjet tij, Europa, sepse Ballkani është kaq i brishtë dhe pa një zgjidhje përfundimtare, sepse lënia hapur e vatrave të ndezura para 20 dhe 15 vitesh sjell pështjellime të reja.

Daytoni, Marrëveshja e Ohrit dhe mosnjohja e Kosovës nga Serbia janë tri projekte të papërfunduara. Lënia e këtij projekti madhor përgjysmë dhe mosangazhimi europian për të përfunduar projektin e nisur, si dhe për të demokratizuar Ballkanin e për mos ta lënë atë në duart e oligarkisë, qeverive aventuriere, ndikimit rus, e kërcënimit të terrorizmit, ka sjellë situatën aktuale ku ndodhemi sot.

Tani nuk janë më në pyetje kufijtë e Europës, por është siguria e saj, është territori i brendshëm i saj. Ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë dëshmojnë se Serbia po mundohet të krijojë idenë se mund të ideojë një skenar si Krimea apo Abkazia, me anë të një treni, i cili ishte nisur pikërisht për të mos përfunduar në Kosovë, por në Rashkë, në djepin e Kishës serbe dhe në vendin me më shumë varre masive të shqiptarëve përjetësisht, thjesht për të krijuar këtë konspiracion kaq të madh dhe për të dhënë një mesazh kaq të thjeshtë. A nuk ishte edhe droni njësoj?

Të dyja të përgatitura në kuzhinën serbo-ruse. Ngritja e murit në Mitrovicë kujt i shërben? A mos po i bëhet karshillëk Gjermanisë dhe Kancelares Merkel pikërisht në ditët që ajo vendos të rikandidojë dhe të vazhdojë drejtimin e BE-së dhe jo vetëm Gjermanisë? A nuk ishin të njëjtët ata që në fillim ndanë qytetin dhe më pas ngritën murin në mes të Berlinit, pothuaj 70 vjet më vonë?

Arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë, në vendin i cili ishte i treti për nga radha e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe vendi ku u nënshkrua kapitullimi i Serbisë me Marrëveshjen e Rambouillete, vendi që nxori administratorin e parë të Kosovës së pasluftës, por edhe vendi më nostalgjik ndaj Serbisë në Europë, ishte gjithashtu jo thjesht një koincidencë e lindur nga policia e një shteti që akomodon INTERPOL-in, por një mesazh i qartë jo vetëm ndaj Kosovës dhe Ballkanit, por ndaj Europës dhe SHBA-ve, se Ballkani është ende fuçi baruti. Para disa muajsh, disa media ndërkombëtare folën me dyshim për emërimin dhe zgjedhjen e ishzëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Kinës në krye të operacioneve të INTERPOL- it në Lion të Francës, si President i saj.

Atentati i dështuar ndaj ish-kryeministrit Djukanoviç në Podgoricë ditën e zgjedhjeve të para të Malit të Zi nën kurorën e Aleancës më të fuqishme në botë. NATO-s, a nuk ishte edhe ky i stisur nga një dorë dhe a nuk përmbante të njëjtin mesazh ndaj rendit dhe sigurisë në Ballkan? Situata e pështjelluar në Maqedoni, ku për të hequr një qeveri nacionaliste, megjithëse i fitoi zgjedhjet me votën e popullit dhe këtë radhë me mbikëqyrje tepër të fortë ndërkombëtare, përdorën shqiptarët e përçarë në disa copëza parti. Sa shpejt u harrua Kumanova?

Kush i përdori ata djem shqiptarë, që u masakruan? Mirë Gruevski i vrau, po Zaevi ku ishte atëherë, apo Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë qenë gjithmonë të marxhinalizuar? Kujt i intereson destabilizimi i Maqedonisë sot? Kujt tjetër, përveçse atyre që e dinë se çelësi i Ballkanit nuk është as Kosova dhe as Bosnja, por në të vërtetë Maqedonia, e cila është nyja e interesave në Ballkan e në Europë, që në kohë më të vjetra e deri më sot.

Pse lejohet kaq gjatë të kukurisë Presidenti Dodik në Republika Serpska, kur ai hapur dhe në mbështetje të plotë nga Moska dhe Beogradi zyrtar sfidon sigurinë në Europë dhe SHBAtë? Pse nuk luan Europa, por rri e vëzhgon me vite të tëra e pret gjoja “zhvillime demokratike”, në një vend ku ende nuk funksionon koncepti i shtetit si nocion unitar? Mos pret vallë “angazhimin” diplomatik të SHBA-ve apo një Dayton të ri?

Serbia kalon një periudhë të brendshme të vështirë, ku është krijuar një vakum i madh midis Qeverisë së Kryeministrit Vuçiç dhe elektoratit të tij nacionalist dhe për këtë arsye ai duhet t’i përgjigjet elektoratit të brendshëm, sepse me Brukselin e rregullon, duke qene se burokracia e Brukselit sot është aq e papërgatitur për sfida sigurie, saqë gënjehet lehtë nga korrupsioni i Ballkanit apo ndonjë buzëqeshje flirtuese liderësh demode ballkanikë. Vuçiç duhet t’i përgjigjet elektoratit të tij, sepse për disa muaj ka zgjedhje presidenciale dhe nëse nuk arrin dot të marrë nën kontroll punët e shtetit të tij, Presidenti Nikoliq, me mbështetjen e partisë që vetë e ngriti, stolisi me një veshje të re, por nuk e transformoi dot nga brenda, si dhe me ndihmën e plotë të ultranacionalistëve të Sheshelit e Koshtunicës, e të socialistëve të Daçiçit, mund të marrë një mandat të dytë.

Prandaj Nikoliq kërcënon sot Kosovën dhe KFORin me luftë, sepse atij i duhet kjo retorikë e për këtë ka mbështetje të fortë nga Moska, sepse sot mbështetja në kohët moderne jepet me një deklaratë për shtyp, apo edhe me një mesazh në mediat sociale…. Shqipëria? Nuk mund të flitet për të. Iu ul koka, pikërisht për të mos bërë zë! Shqiptarët? Çuditërisht, në ditë të vështira tregohen gjithmonë më të maturit dhe më të pjekurit në rajon… vazhdojnë të jenë ata zgjidhja në rajon e më gjerë….

Situata e krijuar në Ballkan, në prag të inaugurimit të Presidentit të ri amerikan, në prag të largimit të Britanisë së Madhe nga BE dhe Eurozona, në prag të zgjedhjeve më të rëndësishme në Europë që nga lindja e projektit të BE-së, në prag të vendimmarrjeve të mëdha gjeopolitike, kanë natyrisht një dirigjent. Gjithsesi, violina e parë mbetet gjithmonë Serbia….

*Drejtore Ekzekutive e “Albanian Policy Centre”

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme