Jugosllavizmi dhe raportet serbe-kroate (1918-1941)

Opinion nga Mentor Tahiri

Tendencat për krijimin e një kombi unik jugosllav, në thelb si një zgjatim pan-sllavist, kanë lindur si rezultat i disa aspiratave politike, të ndryshme mes tyre për nga qëllimi final por edhe për nga vetë rruga se si kanë nisur, varësisht nëse përpjekjet vinin nga Zagrebi apo Beogradi. Duke kujtuar premisat që më herët krijoi “Lëvizja Ilirike”, e që rezultoi me një ideologji jugosllaviste, flamurin e të cilit në mesin e kroatëve do ta merr peshkopi i Zagrebit Shtrosmajer, në përgjithësi tek sllavët nën Perandorinë Habsburge, jugosllavizmi kishte marrë tiparet e një separatizmi gjithë-sllav ku bashkimi me Serbinë erdhi në shprehje politike por duke aluduar në barazinë mes identiteteve sllavo-jugore dhe dëshirën që sllavo-jugorët ta ndjejnë shtetin e përbashkët si atdhe të tyre dhe assesi që njëri nga identitetet të shtyp të tjerët.

Ndryshëm prej kësaj, jugosllavizmi i cili vinte nga Beogradi, ishte vetëm një tendencë hegjemoniste serbe e veshur me propagandimin mbi “lirinë” e sllavëve jugorë, por në thelb ishte po e njëjta ideologji e priftit Stratimiroviq i cili ishte propozuesi i parë i konceptit “Serbo-Sllavi” dhe ajo e “Naçertanisë” së Garashaninit. Hegjemonia serbe si instrument i përgjithshëm pan-sllavist i ishte përshtatur rrethanave të reja duke inkorporuar brenda saj gjithmonë elementet kyçe të sjelljes karshi popullsive jo-serbe. Në shtetin e ri, sipas hegjemonisë serbe të gjithë sllavët jugorë ishin serbë të përkatësive të ndryshme fetare (Ortodoksët, Katolikët dhe Myslimanët). Në këtë drejtim qasja ndaj kroatëve ishte së paku fillimisht më e kujdesshme, kurse boshnjakët, malazezët, sllavo-maqedonët haptazi konsideroheshin serbë dhe çfarëdo përpjekje për promovim identiteti tjetër pos atij serb, përfshirë edhe shkollimin sipas kulturës dhe alfabetit të tyre, dënohej ashpër duke u cilësuar si antiligjore.

Pas përfundimit të Luftës së parë botërore, e cila edhe solli shpërbërjen e Perandorisë Austro-Hungareze, vjen deri tek disa veprime të shpejta politike, të cilat edhe sot konsiderohen si kuvende jo-legjitime dhe të orkestruara, si në rastin e shuarjes së Dinastisë mbretërore malazeze të Petroviqëve. Kurse, vetë Sabori Kroat me 29 Tetor 1918, me një shumicë të padiskutueshme do të votojë për shkëputjen e lidhjeve të mëparshme të Kroacisë me Austro-Hungarinë, dhe për bashkimin me Mbretërinë Serbe dhe Mbretërinë Malazeze, në një shtet unik.

Në rrethana ku Serbia doli si fitimtare e luftës, pasi që Austro-Hungaria u mposht nga aleatët, pa shumë debate politike, Serbia ishte në gjendje që fare lehtë të imponojë dinastinë e saj mbretërore, rrjedhimisht me këtë mbreti serb u transformua në institucionin e mbretit serbo-kroato-slloven (më vonë jugosllav). Ndonëse nga kroatët dhe sllovenët të cilët ishin popuj gjithashtu konstituiv të shtetit të ri, përqendrimi i institucioneve të shtetit rreth Beogradit fillimisht nuk u morr me shumë seriozitet dhe nuk u parashikuan dëmet e mëvonshme politike, me kohë do të shpërfaqen veprime të cilat do të zgjojnë pakënaqësi dhe shpesh do të sjellin vendin e ri në kriza të thella politike sidomos ndërmjet serbëve dhe kroatëve.

Serbia e cila kishte qeveri të saj që nga koha e Principatës autonome, tanimë kishte krijuar një traditë të saj qeveritare-shtetërore, për dallim nga të tjerët në shtetin e ri. Kjo do të vjen në shprehje edhe në vetë përbërjen e forcave të armatosura, xhandarmërisë dhe ushtrisë të cilat duke qenë se dominoheshin nga serbët, do të shndërrohen në një aparat represiv për qëllime hegjemoniste serbe. Serbia duke hyrë në shtetin e ri si shtet më herët i pavarur, kishte kuadro të saj të gatshme dhe me shpejtësi zuri të gjitha vendet kyçe në shtet, përfshirë edhe nëpunësit administrativ. Praktikisht “Jugosllavizmi” i ëndërruar nga Shtrosmajer kishte përfunduar si i tillë dhe në praktikë me veprimet e shtetit të ri të përbashkët, i cili çdo herë më pak mund të cilësohej i tillë, ishte shndërruar në një arenë të hegjemonisë serbe, ashtu siç ishte parashikuar në planet e hershme pan-sllaviste që buronin fillimisht nga Kisha Ortodokse Serbe.

Përtej kësaj, jo-serbët kishin humbur edhe ato pak shenja identiteti që më parë i gëzonin në Perandorinë Austro-Hungareze, pas parasysh këtu faktin se në perandorinë e mëparshme, Kroacia, Dalmacia dhe Bosnja njiheshin si njësi territoriale me kufij të tyre si dhe kishin edhe strukturat e qeverisjes vendore në selitë e tyre. Kurse me organizimin e pushtetit të “decentralizuar” në shtetin sllavo-jugorë, njësi më e lartë e pushtetit vendorë ishin “Banovinat” të cilat nuk respektonin kufijtë e mëparshëm dhe gati deri atëherë tradicional (Kroaci-Bosnje-Serbi), si dhe plotësisht neglizhonin përbërjet demografike. Banovinat në të shumtën e rasteve ishin të aranzhuara territorialisht ashtu që serbët të ishin shumicë kudo që ishte e mundur të realizoheshin përshtatje të tilla demografike-teritoriale, me shumë pak përjashtime.

Në rastin e popullit shqiptar dhe vetë Kosovës, ndarja administrative realizoi shpërndarje në tre pjesë, dhe atë në Banovinën e Zetës me seli në Cetinje (Mitrovica, Peja dhe viset shqiptare në Mal të zi), Banovinën e Moravës me seli në Nish (Kosova qendrore dhe viset në veri të Prishtinës), kurse pjesa tjetër e viseve shqiptare në ish-Jugosllavi i takonte Banovinës së Vardarit me seli në Shkup, e cila gjithashtu përfshinte Serbinë jugore deri në Leskoc. Pra edhe në rastin e shqiptarëve, organizimi i kufijve të pushtetit vendorë është aranzhuar në atë mënyrë që shqiptarët të mos jenë popull shumicë në asnjërën prej Banovinave.

Më vonë, me 1929 vetë riemërimi i shtetit në Jugosllavi, do të largojë nga emri zyrtar identitetin kroat dhe slloven, që tani në kushte të mbizotërimit të plotë serbë mbi organet shtetërore, do të kuptohet si një hap drejt transformimit të shtetit në një Serbi të quajtur ndryshe. Hegjemonia serbe e shfaqur haptazi, do të shuaj çdo entuziazëm “Jugosllavist” tek popuj tjerë, duke krijuar opozitë të bazuar etnikisht, kryesisht të organizuar rreth Partisë Fshatare Kroate (HSS), lideri i së cilës Stjepan Radiq do të vritet në Parlament nga një deputet radikal serb.

Ndonëse një kompromis më kroatët do të bëhet me formimin e Banovinës së bashkuar kroate, megjithatë lëvizje të tilla ishin të vonshme dhe nuk mund të ndalnin animozitet e krijuara. Trysnia politike serbe nën petkun pan-sllavist-jugosllavist, do të prodhojë edhe kundërefekte e që më së drejtpërdrejti do të manifestohen me organizimin politiko-ushtarak kroat në ekzil (fillimisht në Itali), i cili do të njihet me emrin e “Lëvizjes Ustashe” të udhëhequr nga Ante Paveliq, një ultra-djathtist dikur një politikan nga radhët e Partisë Kroate të së drejtave (HSP), dhe i cili do të jetë në krye të Shtetit të Pavarur Kroat.

“Lëvizja Ustashe” do të jetë popullore edhe në mesin e disa qarqeve boshnjake-myslimane, që vjen edhe si rezultat i vetë këndvështrimit të Paveliqit karshi myslimanëve, por edhe për shkak të formimit të tij personal.Ante Paveliq, lider i “Lëvizjes Ustashe” ka lindur në afërsi të Konjicit dhe ka jetuar gjatë fëmijërisë së tij në fshatin Jezero, Jajce (Bosnje-Hercegovinë). Si fëmijë ka mbaruar “Mejtepin” – shkollë fetare myslimane, ekuivalent i shkollimit të sotëm fillorë. Mësimet e para të tij, ishin shkrimi në alfabetin arab.Diferencimi ndër-etnik dhe ndër-fetar në shtet i kishte dhënë praktikisht fund ëndrrës “Jugosllaviste” dhe ajo si e tillë do të përtërihet vetëm me anë të komunizmit nën ndikimin pan-sllavist.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme