Pas anulimit të raundit të radhës së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të planifikuar për të martën e kaluar, Bashkimi Evropian po punon për vazhdimin e dialogut
Burime të Tanjugut kanë thënë se nga java e kaluar BE-ja është në kontakte të vazhdueshme me palët në mënyrë që sa më shpejt të vazhdohet me takimet e ekipeve teknike që u ndërprenë më 16 janar për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë.
“Po punojmë që takimi i ri të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, kanë thënë burimet.
“Sa i përket BE-së, të dy palët edhe më tej kanë detyrime, që i kanë marrë përsipër për të marrë pjesë në dialog”, shkruajnë mediat serbe.
Kurse zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Kocijançiq ditë më parë ka thënë se BE përshëndet komunikimin e drejtpërdrejt telefonik që e kanë pasur presidentët Vuçiq e Thaçi si dhe pajtimin e tyre që të vazhdohet dialogu dhe të ndodhë normalizimi i mëtejmë marrëdhënieve të tyre.
“Vazhdimi i dialogut për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”, ka thënë ajo ditë më parë.
Në Bruksel theksohet se tashmë është e ditur se viti 2018 do të jetë i rëndësishëm për procesin euro integrues për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Është i ditur ‘orari’ për sivjet dhe nuk ka kohë për humbje”, thuhet në këto qarqe.