Pas incidentit që ndodhi mbrëmë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë në festivalin e birrës ‘Beerfest Kosova’ Komuna e Prishtinës ka anuluar dy ditët e mbetura të këtij festivali.
Por, organizatorët kanë njoftuar se edicioni i gjashtë do të mbahet në një lokacion tjetër në Prishtinë, për çka do të njoftojnë me kohë.
“Me vendim të kryetarit të Komunës së Prishtinës me keqardhje ju njoftojmë se ‘Beerfest Kosova 6’ anulohet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë dhe pritet të dislokohet në një lokacion tjetër në një të ardhme të afërt”, thonë organizatorët.
Anulimi i këtij festivali sipas organizatorëve është bërë edhe për shkak të rritjes së madhe, për çka hapësira e sheshit ‘Zahir Pajaziti’ është e pamjaftueshme.
“Për kohën dhe lokacionin e ri do t’ju njoftojmë pas disa ditësh, kur të kryhen konsultimet me Komunën dhe kompanitë pjesëmarrëse”, thuhet nënjoftim.