Në një dalje para mediave, ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur për prapaskenat e miratimit të gazsjellësit transadriatik TAP.
Në reagimin e tij, Berisha ka shpjeguar rëndësinë e këtij gazsjellësi dhe rolin që pritej të luante Rusia në atë kohë. Sipas tij pati edhe tentaiva për të korruptuar zyrtarë, përfshi edhe atë vetë.
Berisha tha se: “Është një moment historik, pasi gjatë ditës së sotme, TAP ka dërguar 10 fuçitë e para të gazit në Itali, pa u ndikuar nga Rusia.
Ky është gazsjellësi i Europës pa gazin rus, është një arritje e madhe për Europën, arritje në të cilën Shqipëria dhe qeveria që unë kryesova luajti një rol përcaktues, pas Azerbajxhanit, dhe presidentit të atij vendit.
TAP mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, u zhvillua një aktivitet i jashtëzakonshëm disa vjeçar, u bënë përpjekjet më të mëdha për ta sabotuar atë, pasi gjithçka bëhej që korridorin e jugut ta kapte Rusia.
Pati kundërshti të mëdha në të gjitha vendet që kalonte gazsjellësi përveç Shqipërisë, ato u shfaqën në rritje, me synimin për të eleminuar TAP, ato u krijuan nga tre vendet fqinje, u krijua rrjeti i gazit Itali, Greqi, Turqi.
Presidenti i Azerbaxhanit, me kurajo dhe guxim epik, përjashtoi kompaninë e varur nga Rusia nga gara, gjë që zgjoi zemërimin në 3 vendet fqinje, vazhduam përpjekjet diplomatike, për të bindur fqinjët tanë se nga TAP përfitonin të gjithë dhe nuk humbiste asnjë njeri.
Dua të falenderoj me mirënjohjen më të thellë, presidentin e Azerbajxhanit, që shpalli TAP fituesin për gazin Kaspik, një falenderim të madh meriton dhe Xhorxho Napolitano, i cili përmbysi të gjitha qendrimet, thellësisht të gabuara, të administratës së shtetit të tij, çka ishte më pas përcaktues në qendrimin e Republikës së Italisë.
Ju e dini që Tirana u bë kryeqytet i Ballkanit për TAP”, tha Berisha.
Në fund të fjalës së tij, Berisha preku edhe tentativat për korruptimin e procesit të TAP. Sipas tij, oferat ka qenë direkte nga Xhorxh Soros. “Dua të jap një mesazh për ata që shpallën non grata Sali Berishën, mafia e Xhorxh Soros, që vetëm për TAP Sali Berishës i kanë ofruar shuma madhore, dhe ai i ka refuzuar, pasi isha i bindur që gazi rus nuk ishte i duhuri për Europën. Kanë qenë oferta direkt nga Gazpromi”.



