Buja përkrah mocionin: Qeveria duhet të shkojë në shtëpi, e Isa në pension

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherësh dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Shukri Buja thotë se do ta përkrahë mocionin e iniciuar nga opozita për rrëzimin e Qeverisë.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka thënë se kryeministri Isa Mustafa duhet të shkoj tashmë në pension. Ndërsa sipas Bujës kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi, pasi që nuk arriti t’i përmbyll proceset e mëdha për vendin.

“Unë e përkrah mocionin, kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi”, u shpreh ai.

Ai ka thënë se tash e sa kohë është me kritika ndaj Qeverisë për shkak se nuk funksionon ashtu siç duhet.

Sipas tij gabimet e para filluar nga Mustafa i cili nënshkroi marrëveshjen për Asociacion dhe më pas çështja e Demarkacionit, gjë që sipas tij po stërzgjatet, ndërkaq po dëmtohen qytetarët e Kosovës.

“Kjo Qeveri do të duhej të shkojë në shtëpi. Isa Mustafa e ka mbush moshën e pensionit e le të shkojë në pension edhe ai”, tha Buja.

Buja thotë se koalicioni LDK-PDK, i cili ishte jo parimor, ka dështuar në shumë procese dhe s’ka arsye që të vazhdojë më tutje, por duhet t’u jepet hapësirë zhvillimeve të reja.

Duke komentuar iniciativën ligjore të presidentit Thaçi, për formimin e ushtrisë, ish kryetari i Lipjanit thotë se deklaratat se presidenti është tërhequr nga nisma e tij, po bëhen për qëllime politike, pasi që sipas Bujës ai nuk është tërhequr, por po lë hapësirë që kjo të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Ndër të tjera, Buja konfirmon se do të ri-kandidojë për kryetar të Lipjanit në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa sa i përket aktakuzës së ngritur ndaj tij, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit, Buja thotë se ngritja e aktakuzave është bërë modë tashmë. Për rastin e tij ai thotë se është bërë me inicime politike, pasi që dikujt po i pengon kandidimi i tij në Lipjan.

Deputeti nga radhët e PDK-së tash e sa javë ka deklaruar publikisht se koalicioni PDK-LDK duhet të prishet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Njëjtë si Buja kanë deklaruar edhe dy deputetë të kësaj partie, Nait Hasani dhe Shaip Muja.