Caktohet ekspertizë e re financiare ndaj të akuzuarës për përvetësim në detyrë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar “Alma sh.p.k”, që në gjykimin ndaj ish-kontabilistes së kësaj kompanie, Natyra Reka, që akuzohet për përvetësim në detyrë, të caktohet ekspertizë e re financiare.

Në seancën e së premtes, Ali Beka, përfaqësues i palës së dëmtuar, ka propozuar që të bëhet ekspertizë e re financiare, meqenëse ekzistojnë dy ekspertiza financiare në këtë çështje penale, të cilat, sipas tij, janë të kundërta në raport me lartësinë e dëmit.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se miratohet propozimi i palës së dëmtuar që të caktohet ekspertiza e re financiare, me të cilën do të vërtetohej se sa është shuma e mjeteve që pretendohet se janë përvetësuar nga tani e akuzuara.

Për realizimin e kësaj ekspertize është caktuar nga eksperti financiar, Riza Blakaj.

Në këtë rast ishin kryer dy ekspertiza më herët, një nga pala e dëmtuar, e tjera nga prokuroria.

Sa i përket ekspertizës së palës së dëmtuar, gjykata e ka refuzuar, për arsye se nuk dihet se a është e certifikuar hartuesja e ekspertizës dhe nëse është brenda territorit të cilës gjykatë është e certifikuar.

Tutje, gjykatësi Ibrahimi, deklaroi se ekspertiza rezulton të jetë e hartuar para fillimit të procedurës penale dhe e njëjta nuk është e hartuar konform Kodit të Procedurës Penale, sepse për të nuk kanë qenë në dijeni as prokurori e as gjykatësi i procedurës paraprake.

Ndryshe, ky shqyrtim gjyqësor ka filluar rishtas për shkak se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga hera e fundit që është mbajtur seancë lidhur me këtë rast, si dhe është bërë ndryshimi i trupit gjykues.

Në paragrafin e tretë të nenit 311 të Kodit për Procedurë penale, thuhet se kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat.

Gjatë kësaj seance palët në procedurë kanë paraqitur fjalët e tyre hyrëse, para trupit gjykues.

Prokurori Feti Tunuzliu, ka deklaruar se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e akuzuara ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Sipas prokurorit, cilësia e personit zyrtar të të pandehurës është vërtetuar nga mbrojtja e saj në procedurën hetimore dhe që përputhet me përkufizimin e dhënë sepse e njëjta si kontabiliste në kompaninë “Alma” sh.p.k ka ushtruar këtë detyrë.

Tutje, prokurori deklaroi se realizimi i përfitimit pasuror me paratë që i janë besuar të pandehurës do të vërtetohet nga ekspertiza financiare e kryer nga Fahri Bajrami, i cili i është referuar transaksioneve bankare e kartelave bankare.

Prokurori deklaroi se eksperti financiar ka konkluduar se është dëmtuar kompania ashtu që e pandehura nuk i ka dorëzuar rregullisht pazaret ditore në “Procredit Bank”.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Ali Beka, ka deklaruar se e përkrah fjalën hyrëse të prokurorit dhe se i bashkëngjitet ndjekjes penale.

Ai ka propozuar të pranohen si prova, dy kontrata të punës që do të konfirmojnë cilësinë e personit zyrtar për të pandehurën dhe sipas tij, do të vërtetojnë nëse ka qenë në marrëdhënie pune me të dëmtuarën.

Beka, ka deklaruar se me anë të kontratave shihen detyrimet me të cilat ka qenë e ngarkuar e pandehura.

Sipas përfaqësuesit të palës së dëmtuar, në njërën kontratë janë të përcaktuar detyrat e të akuzuarës ku hyjnë faturimi, kontimi, përcjellja e pagesave-punëve në kontabilitet, punë administrative. Ndërsa, në tjetrën deklaroi se është përshkrimi i njëjti i punëve, me disa dallime.

Këto dy prova, të propozuara nga Beka, gjithashtu janë aprovuar nga trupi gjykues.

Mentor Neziraj, avokati mbrojtës i Natyra Rekës, ka deklaruar se aktakuzën mbrojtja e konsideron si të pabazuar.

Mbrojtja ka kundërshtuar kualifikim ligjor që është bërë nga prokuroria, duke deklaruar se nuk janë përmbushur elementet për kryerjen e kësaj vepre penale dhe gjithashtu ka deklaruar se e njëjta për tu konsideruar person zyrtar duhet të jetë e emëruar nga organi shtetëror.

Sa u përket provave material dhe dëftesave të paraqitura në aktakuzë dhe ekspertizë financiare, mbrojtja ka deklaruar se kontestohen për shkak se nuk përshkruhet nga kush janë pranuar dhe ka nënshkrime në to që nuk janë nënshkruar nga e akuzuara.

Për këto fatura, mbrojtja ka deklaruar se do të propozojë që të bëhet ekspertizë për të vërtetuar nëse janë nënshkruar nga e akuzuara.

Tutje, Neziraj deklaroi se e akuzuara nuk e ka titullin e saktë kontabiliste, për shkak se për të qenë e tillë, sipas tij, duhet të jetë ekonomiste.

Prokurori Feti Tunuzliu e gjykatësi Hamdi Ibrahimi kanë pasur një debat kur gjatë kësaj seance është kaluar në fazën e prezantimit të provave materiale.

Gjykatësi Ibrahimi, ka kërkuar nga prokurori që të deklarohet rreth tyre, kurse prokurori ka deklaruar se prokuroria prezanton si prova dëshmitarët dhe provat materiale të specifikuara në aktakuzë nga numri 1 deri në 20.

Prokurori ka konsideruar se provat e tilla janë propozuar që të administrohen në shqyrtimin gjyqësor, andaj deklaroi se mbetet pranë propozimit që të administrohen dhe pret që gjykata të bëj administrimin e tyre.

Kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi ia ka tërhequr vërejtjen prokurorit se gjykata nuk bën administrimin e provave.

“Prokurori i shtetit, pala e dëmtuar, mbrojtësi apo i akuzuari bëjnë prezantimin e provave materiale dhe u bëjnë pyetje dëshmitarëve. Gjykata bën vlerësimin e provave pas administrimit të tyre”, deklaroi Ibrahimi.

Ibrahimi, ftoi prokurorin që të prezantojë provat materiale, duke theksuar emërtimin e tyre numrin e protokoolin nëse kanë, të deklarohet se në çka konsiston ajo provë dhe çka provohet me atë provë në të kundërtën, deklaroi se do të konstatohet se prokuroria nuk ka prova materiale për të prezantuar.

Ndërsa, prokurori deklaroi se është i gatshëm që t’i ndërmarr të gjitha veprimet dhe se është jashtëzakonisht i interesuar që autorizimet e tij t’i zbatojë, prandaj deklaroi se mbetet në tërësi pranë propozimit që atij nuk i takon të administrojë provat, por trupit gjykues.

Debat ka pasur gjatë seancës edhe mes përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe kryetarit të trupit gjykues.

Ali Beka, ka pyetur se pse nuk e ka rrëzuar aktakuzën kryetari i trupit gjykues në fazën e kundërshtimit të provave, meqenëse sipas tij, Ibrahimi po e konteston aktin akuzues.

Gjykatësi u përgjigj se lëndën e të ka trashëguar dhe tha se ndërmerr veprime në rastet kur ka arsye për të kthyer aktakuzën në prokurori apo për ta rrëzuar.

“Po e prejudikoni rastin, po e përfundoni para se të fillojë, po të incizohej seanca do e shihnit prejudikimin”, deklaroi Beka.

Kurse, Ibrahimi ka deklaruar se seanca është e hapur për publikun dhe mediat, e nuk e ka problem.

“Përtej asaj që dikush sjell inate në sallën e gjykimit, silluni brenda dispozitave ligjore dhe rolit tuaj”, deklaroi Ibrahimi.

Kjo seancë është shtyrë për afat të pacaktuar, derisa të përfundohet ekspertiza e re financiare.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura Natyra Reka, në cilësinë e personit zyrtar ka përvetësuar pasurinë e cila i ishte besuar si kontabiliste e kompanisë së lartcekur.

Sipas këtij akti akuzues, Reka gjatë periudhës kohore nga 26 maji i vitit 2011 e deri më 3 tetor 2012 nuk e ka dorëzuar rregullisht pazarin ditor në llogarinë rrjedhëse të “Alma” sh.p.k., me ç ‘rast të njëjtës i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 10.360,00 euro./betimiperdrejtesi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme