
Gazetar: Avni Tahiri
Për shkak të një defekti në Shkollën Fillore Ismail Qemali në Çair, nxënësit nuk e ndoqën mësimin gjatë ditës së sotme.
Sipas komunës së Çairit, në Shkollën Fillore Ismail Qemali, është paraqitur një defekt teknik në sistemin e ngrohjes. Sipas komunës të gjitha shkollat e tjera në territorin e Komunës së Çairit e zhvillojnë procesin mësimor në mënyrë të rregullt dhe kanë ngrohje.
“Në “Ismail Qemali”, është paraqitur një defekt teknik në sistemin e ngrohjes. Theksojmë se problemi nuk lidhet me mungesë të karburantit, por me një çështje teknike, për të cilën ekipet përkatëse janë tashmë në terren dhe po punojnë për riparim”, thonë nga Komuna e Çairit.
Sipas drejtoreshës së shkollës Teuta Imeri bëhet fjalë për gypa të vjetruar që duhet riparuar.
“Nuk është defekt që mund të rregullohej kur nxënësit ishin në pushimet dimërore por ndodhi tani dhe tani morëm masa. Ngrohje ka por për shkak që njëra pjesë e shkollës pati defekt të gypave kryesor të ngrohjes për atë shkak edhe u ndërpre mësimi dhe për të mirën e nxënësve që t’i mbrojmë shkaku i temperaturave të ulëta dhe ne e ndërpremë sot mësimin. Nga nesër do të ketë mësim”, tha Teuta Imeri – Drejtore e Shkollës Fillore Ismail Qemali.
Përveç Shkollës Fillore Ismail Qemali të Çairit, sipas informacioneve, edhe në një shkollën të mesme të Shkupit, për shkak të një defekti me ngrohjen, nxënësit sot nuk e kanë ndjekur mësimin./ Alsat.mk



