Demolli dhe Rama njoftojnë sekretarin e NATO-s për FSK-në

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, Rrahman Rama janë takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jans Stoltenberg.

Siç bëhet e ditur nga Ministria e FSK-së, në takim, u bisedua për situatën e sigurisë në Kosovë, hapat që duhet ndërmarrë lidhur me ruajtjen e paqes dhe sigurisë si dhe stabilitetit të Kosovës, si dhe zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në Kosovë.

Ministri Demolli e njoftoi sekretarin e NATO-s, Jans Stoltenberg mbi zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, avancimin e saj në drejtim të krijimit të përmbushjes së misionit të saj në mbështetje të institucioneve dhe qytetarëve të vendit si dhe në krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për përfshirjen e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, për shërbim në FSK.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg dha mbështetje të pa rezervë për FSK-në përmes Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (EKNN), misionin dhe kapaciteteve të saj, duke shprehur konsideratë të lartë për profesionalizmin dhe angazhimin e saj të treguar deri më tani.