Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, thotë se ai dhe Grupi Parlamentar i LDK-së, do ta përkrahin Projektligjin e FSK-së, në momentin që ai do të jetë për votim në Kuvendin e Kosovës.
Demolli në një intervistë për KosovaPress tha se Projektligji për FSK-në, i cili është dorëzuar ditë më parë në Ministrinë që ai drejton, nesër do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës, me opinionin që do të japë kjo Ministri për këtë Projektligj.
Demolli teksa tregon se ai së bashku me Grupin Parlamentar të LDK-së, do t’i japin përkrahje këtij Projektligji, thotë se do të ndihej mirë, që gjatë periudhës sa ai është ministër i FSK-së, të ndodhë transformimi i kësaj force në ushtri të Kosovës.
Demolli tregon se ka pasur biseda me partnerët strategjikë të Kosovës, por se nuk ka marrë ndonjë vërejtje apo shqetësim nga ta, lidhur me Projektligjin për FSK-së.
“Unë kam pasur biseda, por nuk kam ndonjë vërejtje, ndonjë shqetësim në drejtim të tillë. Mirëpo, çdo gjë mbetet tek iniciuesi, respektivisht te sponzoruesi i ligjit që është Presidenca”, tha ai.
Demolli shprehet i vendosur që me apo pa pëlqimin e faktorit ndërkombëtar, ata do të jenë pro këtij Projektligji.
Ndryshe, Projektligji për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, u iniciua ditë më parë nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili i dorëzoi këtë Projektligj kryeparlamentarit Kadri Veseli.