Demolli: Të gatshëm për transformimin e FSK-së, me ndryshime kushtetuese ose ligjore

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në një bisedë për koha.net, ka bërë të ditur se ekzistojnë të gjitha përgatitjet për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës, qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese, apo edhe përmes ndryshim-plotësimit të Ligjit për FSK-në.

Por, siç shprehet ministri, të gjithë hapat do të bëhen në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

I pyetur nga koha.net për opsionet që ekzistojnë në këtë drejtim, ministri Demolli ka thënë se në bazë të koordinimeve të deritanishme me kryeministrin dhe Qeverinë, Ministria e FSK-së i ka bërë të gjitha përgatitjet, prandaj FSK është e gatshme në të gjitha aspektet për transformim, për marrjen e kompetencave të plota ushtarake, si dhe për të kryer të gjitha funksionet në fushën e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sa i takon mundësisë që FSK-ja të transformohet përmes ndryshimeve kushtetuese, ministri Demolli, tha se ekzistojnë të gjitha përgatitjet mbi bazën e akteve normative, por që ende mungon vullneti i përfaqësuesve të komunitetit serb.
“Kemi përgatitur ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin një proces të tillë dhe po ashtu Ligjin i cili do të bënte transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) përmes ndryshimeve kushtetuese. Por, për një gjë të tillë kërkohen 2/3 e dyfishta në Kuvend. Ndërkaq, deri më tani, ne kemi zhvilluar dhjetëra biseda, por ende mungon vullneti te përfaqësuesit e komunitetit serb”, bëri të ditur ministri i FSK-së.

Sa i përket mundësisë së transformimit përmes ndryshimeve ligjore, ministri Demolli tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme edhe për një opsion të tillë. “I kemi gati edhe Plotësim Ndryshimet e Ligjit për FSK-në, i cili do t’i jepte FSK-së të gjitha kompetencat e Forcë së Armatosur, por që do të mbetej me të njëjtin emër, ndërkaq ajo do të kishte të gjitha kompetencat dhe kapacitetet e nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës”, tha ministri Haki Demolli, gjatë një bisede për koha.net.

“FSK është ndërtuar mbi bazën e një mbështetje, bashkëpunimi dhe partneriteti me NATO-n dhe partnerët strategjikë dhe ne do të angazhohemi që edhe transformimi i saj të bëhet në bashkërenditje me këta partnerë, duke i ndjekur procedurat në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme