Në seancë, dëshminë e tyre e dhanë eksperti i psikiatrisë Ajet Bunjaku, eksperti i mjekësisë ligjore Naim Haliti si dhe dëshmitari Xhevahir Haxha.
Gjatë dëshmisë së tij dhënë para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Beqir Halili, eksperti Ajet Bunjaku tregoi se nga ekspertiza që i është bërë të akuzuarit, ishte vërtetuar se ai vuante nga një çrregullim mendor.
Por ai shtoi se kjo nuk ishte pengesë për të akuzuarin që ai të ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij.
“Gjatë qëndrimit për katër javë ne Institutin e Psikiatrisë Forenzike, si dhe pas intervistimeve të përgjithshme me të akuzuarin, pas analizave të bëra, duke u mbështetur nga dokumentacioni mjekësor i qendrës mjekësore të paraburgimit dhe dokumentacioni i sjellë nga familjarët, kemi konstatuar se Maliq Birinxhiku vuan nga një çrregullim mendor i quajtur çrregullim stresant postraumatik apo TTSD “, tha eksperti Bunjaku.
Gjithashtu ai tregoi se kjo karakterizohet me disponim të ulët, vullnet të rënë, izolim social, çrregullime të gjumit dhe rikujtime të ngjarjeve traumatike (flashback).
Kurse pas pyetjes se prokurorit Njazi Rexha lidhur me atë se këta persona a e kanë të ruajtur gjykimin për veprimet e veta, eksperti u përgjigj pozitivisht.
“Personat me çrregullim të tillë e kanë të ruajtur gjykimin për veprime e veta, përveç në rastet kur hasen apo takohen në stresorin, e cila gjë mund ta rikujtojë rastin traumatik dhe mund të përkeqësohet gjendja mendore e tij në kuptimin emocional “, tha eksperti.
Sipas ekspertizës së dhënë nga eksperti i psikiatrisë Bunjaku, i pandehuri Maliq Birinxhiku, është në gjendje ta përballojë gjykimin, ka perceptim mbi realitetin është në gjendje të ndërmarrë veprime si dhe të përgjigjet në pyetje të caktuara, kurse sëmundja e konstatuar te i pandehuri, sipas tij, nuk është sëmundje e përhershme mendore.
Ndërsa në dëshminë e dhënë nga eksperti i mjekësisë ligjore Naim Haliti u tregua se i ndjeri Valon Goxhuli kishte vdekur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme nga dëmtimet të cilat kishin pësuar organet e indit trupor, gjë e cila ishte shkaktuar nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.
Nga autopsia që i ishte bërë të ndjeri Valon Goxhuli, më 30 mars 2015 në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ishte vërtetuar se i ndjeri kishte pasur 15 vrima hyrëse nga plagët e marra, kurse disa pre tyre kanë përshkuar zemrën, mushkëritë, mëlçinë etj.
Eksperti Naim Haliti gjatë dëshmisë se tij gjithashtu tha se pas ekzaminimeve të bëra ishte vërtetuar se gjuajtjet me armë kanë qenë mbi një metër larg, që do të thotë kanë qenë gjuajtje nga largësia.
Në seancë dëshminë e tij e dha edhe dëshmitari Xhevahir Haxha, menaxher në firmën “Viktoria Invest “.
Ai tha se në shtator 2015 kishte mbikëqyrë vendosjen e gypave atmosferikë në fshatin Qubrel të Skënderajt.
Gjithashtu dëshmitari pasi që u pyet nga prokurori Njazi Rexha, tha se atë ditë kishte qenë duke punuar më punëtorët e tij në fshat dhe se nuk kishte parë asnjë veture të markës “Ford Focus”, apo që ka kaluar me shpejtësi të madhe në drejtim të varrezave.
Mirëpo kjo deklaratë e dhënë në gjykatë u konsiderua kundërthënëse me atë të dhënë në polici në tetor të vitit 2015, ku kishte thënë se atë ditë rreth orës 17:00 ka kaluar një veturë e asaj marke me targa të huaja me shpejtësi të madhe.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës e akuzon Maliq Birinxhikun se në shtator të vitit 2015 në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje me qëllim hakmarrjeje, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Valon Goxhuli.
Sipas aktakuzës, pasi i ndjeri Valon Goxhuli kishte vrarë Bekim Birinxhikun, vëllain e tani të akuzuarit Maliq Birinxhiku, ky në shenjë hakmarrjeje derisa viktima kishte dalë me veturën e tij së bashku me bashkëshorten dhe mikun e tij Arsim Fejza, nga vetura “Ford Focus” me targa gjermane të cilën e drejtonte një njeri i paidentifikuar, ka shtënë me pushkë automatike duke i shkaktuar tani atij plagë vdekjeprurëse dhe duke rrezikuar jetën e bashkudhëtarëve dhe qytetarëve tjerë kalimtarë të rastit si dhe duke shkaktuar dëme materiale.
Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit me automjet kishin ikur në drejtim të rrugës që shpie në fshatin Llaushë dhe kishin shkuar në varrezat e fshatit Çubrel ku kishte qenë i varrosur Bekim Birinxhiku. Aktakuza thotë se aty i akuzuari kishte zbrazur një rafal të automatikut e pastaj kishin ikur në drejtim të magjistrales Mitrovicë – Istog./Kallxo.com