Detaje të reja dalin nga aksioni i policisë së shtetit dhe agjentëve të BKH-së Durrës pasi SPAK lëshoi 8 urdhër arreste.
Agjentët e BKH-së zbarkuan në banesën e Aleksandër Lahos pasi kishte informacione se ishte kthyer nga jashtë vendit dhe ishte strehuar në banesën e tij, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Por, Rrumi i Shijakut, i dyshohet për grup kriminal dhe përfshirje në një skemë të tjetërsimit të zonave në bregdetin e Durrësit, nuk është vendosur në pranga, pasi nuk u gjet në shtëpi.
Ndërkohë pranga ka rënë i vëllai, Vullnet Muça, pasi dyshohet se ishte i përfshirë së bashku me Rrumin e Shijakut në skemën e tjetërsimit të pronave.
Gjithashtu u arrestuan Vlash Draçi dhe Enea Kume për falsifikim dokumentesh dhe regjistrim të sipërfaqeve të mëdha të pronave në emër të personave të lidhur me “Rrumin e Shijakut”.
Atentati ndaj tij
Ky i fundit konsiderohet si i “forti” i Sukthit dhe njihet me shumë emra, midis të cilëve edhe Aleksandër Laho apo Pëllumb Muharremi.
Ai i shpëtoi një atenati në 1 nëntor 2019 në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, teksa udhëtonte me makinë me ish-prokurorin dhe deputetin e PD-së, Aleksandër Laho dhe si pasojë e të shtënave humbi jetën shoferi Andi Maloku.
Prokuroria e Posaçme informoi se autorët e identifikuar që kanë marrë pjesë në atentat janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja e Endrit Sinani, dhe bashkëpandehurit në një procedim të lidhur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat e vjedhura që do të përdornin për të ndjekur viktimat. Nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e shënjestrave edhe nga bazat e të dhënave shtetërore.
“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e përfshirë në këto krime”, raporton SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, të cilët janë marrë të pandehur dhe ndaj tyre, aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje.



