Dy palestinezë u vranë dhe tre të tjerë u plagosën nga të shtënat e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës të martën, mes shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit në fuqi në enklavë, transmeton Anadolu.
Një burrë humbi jetën dhe një tjetër u plagos në një sulm me dron që goditi këmbësorët pranë Parkut Komunal në rrugën Omar Al-Mukhtar, në qendër të qytetit të Gazës, thanë burimet.
Ata shtuan se një burrë 34-vjeçar gjithashtu ndërroi jetë nga plagët e marra në një sulm izraelit që kishte në shënjestër civilët pranë Kullave Taiba në Khan Younis, në jug të Gazës, të hënën.
Një palestinez i zhvendosur u qëllua brenda tendës së tij në zonën Al-Mawasi të Rafahut, kur automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr drejt tendave ku strehoheshin personat e zhvendosur, sipas burimeve.
Në Gazën qendrore, një vajzë pësoi plagë të moderuara kur forcat izraelite hapën zjarr drejt shtëpive në lindje të kampit të refugjatëve Bureij.
Ndërkohë, ushtria izraelite kreu dy operacione shembjeje brenda zonave nën kontrollin e saj në lindje të qytetit të Gazës, duke shkatërruar shtëpi dhe ndërtesa palestineze të evakuuara, thanë dëshmitarët.
Sipas një gazetari të Agjencisë Anadolu, një shpërthim ndodhi në lindje të lagjes Shuxhaijeh dhe tjetri në lindje të Al-Tuffahut.
Anijet luftarake izraelite hapën gjithashtu zjarr me mitralozë drejt varkave të peshkimit në brigjet e qytetit të Gazës. Nuk u raportuan të plagosur.
Ushtria izraelite ka vrarë të paktën 1.460 palestinezë dhe ka plagosur 5.116 të tjerë që nga armëpushimi i 10 tetorit 2025, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Që nga tetori 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë, sipas të dhënave palestineze, ndërsa rreth 90% e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.



