Dyfytyrësia e Listës Serbe, katër komunat veriore rrezikohet të mbesin pa kryetarë

Me shumicë totale të votave, katër kandidatët e Listës Serbe dolën fitues në zgjedhjet për kryetarë në veri.

Ndonëse u sfiduan edhe nga kundërkandidatë shqiptarë, këta të fundit nuk morën votat optimale që t’ua rrezikojnë postet serbëve, shkruan lajmi.net.

E megjithë përfundimin e zgjedhjeve, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani po rrezikojnë të mbesin pa kryetarë.

Kjo për shkakun se të zgjedhurit nga qytetarët po refuzojnë të betohen me simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq tha për lajmi.net se në këtë rast, dikasteri që udhëheq ajo do të veprojë vetëm në bazë të ligjeve të Kosovës.

Ajo thotë se afati i betimit është deri më 25 qershor, ndërkaq që pas kësaj date do të shihet se si do të veprohet.

“Deri më 25 qershor kemi kohë. E shikojmë, nuk mund të flasim tani për këtë çështje se si do të veprohet nëse ata nuk e japin betimin, unë shpresoj që nuk do të vijmë në atë moment”, tha ajo.

Ministrja tutje thekson se është shumë e rëndësishme që kryetarët e komunave në këtë rast të japin betimet për shkak të, siç thotë ajo, nevojave të qytetarëve.

“Unë besoj që ata do ta japin betimin sepse e dinë se sa shumë është me rëndësi që komunat të kenë kryetarë të tyre, sepse ata janë për me i përkrah nevojat e qytetarëve. Unë i njoh katër kryetarët e komunave dhe e dijë që ata janë të ndërgjegjshëm dhe që janë të brengosur për qytetarët”, ka thënë ajo.

Mirëpo cilat janë arsyet që kryetarët serbë të komunave po refuzojnë të betohen?

Ish-kandidatja e PDK-së për zgjedhjet në veri të Mitrovicës, Gonxhe Çaushi, për lajmi.net ka thënë se nga informacionet që posedon ajo, Goran Rakiqit i është anuluar betimi për shkak se ka çuar ftesën para certifikimit të rezultateve.

Megjithatë, ajo thotë se në Leposaviq ka informacione se kryetari ka refuzuar të betohet para simboleve shtetërore.

“Kur kemi shkuar në seancë është anuluar për shkak se kryetari e ka dërgu ftesën para se me u certifikua rezultatet e KQZ-së. Kjo është arsyeja pse është anuluar betimi, me aq sa kemi ne informacione. Ndërkaq në Leposaviq kemi informacione se kryetari ka refuzuar të betohet para simboleve të shtetit”, ka thënë ajo.

Katër kryetarët e komunave veriore, kishin dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë nga Qeveria e Kosovës.

Ndonëse nuk kishin dalë asnjë ditë në punë për katër muaj, atyre u kishin dalë pagat njësoj si të kishin kryer funksionin e tyre në mënyrë të rregullt.

Ndërkohë, nga institucionet e Kosovës nuk kanë treguar ende qartë se si do të veprohet nëse katër kryetarët do të refuzojnë të betohen edhe pas përfundimit të afatit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme