Edhe kur prishen ‘Aleancat’, mbeten ‘(h)Aleancat’!

Shkrimtari ynë i njohur Kim Mehmeti, i ka komentuar raportimet mediatike për grindjet dhe përçarjet mes partive që përbëjnë “Aleancën për Shqiptarët”. Sipas tij, kjo duhej pritur nga ata që u bashkuan rreth ambicieve të veta për të qenë ministra e deputet, e të cilat ambicie i barazuan me interesin kombëtar! Kim Mehmeti vlerëson se aleancat mes partive shqiptare, janë jetëshkurtra dhe grindavece, shkaku se ato nuk i bashkon ndonjë parim, ideal apo vlerë, por vetëm interesi personal I drejtuesve partiak. Më poshtë ua përcjellim komentin e plotë të Kim Mehmetit, të publikuar në faqen e tij të FB.
“Sipas medieve, del se partitë anëtarë të ‘Aleancës për Shqiptarët’, janë duke u bërë ‘copa’ mes veti! Kjo edhe duhej pritur nga ata që u bashkuan rreth ambicieve të veta për të qenë ministra e deputet, e të cilat synime i ngritën në rrafshin e interesit më të lartë kombëtarë! Dhe shpresoj se miqtë e mi të ‘Këshillit Opozitarë’ të dikurshëm, tani do e kenë edhe më të qartë pse këmbëngulja që të mos bashkëpunojmë me satelitin opozitar të BDI’së (RDK’në me vulë) dhe ‘kazanin’ ku PDSH’ja kishte hedhur ‘fëmijët’ e saj me mendësinë më bastarde të nënës parti që i lindi, mendësi sipas së cilës, kur nuk ke argumente për ta kritikuar kundërshtarin politik, atëherë merru me familjarët e tij të gjallë e të vdekur (me LR-PDSH’në)! Por sado që nuk do e besoni, kurrë nuk e kam dëshiruar shpërbërjen e kësaj ‘Aleance’. Nëse jo për hiq gjë tjetër, atëherë pse e di se edhe për zhbërjen e saj të mundshme, do më fajësojnë mua ‘baksuzin’, që i morra në qafë partitë e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe i cili, kudo që shkon, vetëm i turpëron shqiptarët e Maqedonisë dhe punon kundër ‘vlerave kombëtare’ të bashkuara rreth ‘Aleancës për Shqiptarët’?! Pastaj, e dëshiroja jetëgjatësinë e kësaj ‘Aleance’, që populli të kishte ku ta shihte shëmtinë e atyre që shkelin mbi çdo gjë kombëtare, kur rrezikohen interesat e tyre personale! Sidoqoftë, më duket se e gjitha është vetëm fillimi i luftës dhe se duhet pritur që LR-PDSH’ja ta përvetësojë emrin e ‘Aleancës për Shqiptarët’, me çka do e vazhdojë ‘misionin patriotik’ për bashkimin e partive opozitare dhe do na dëshmojë se edhe kur prishen Aleancat, mbeten ‘(h)Aleancat’!”, shkruan Kim Mehmeti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme