Faton Kurti flet për konfliktin e Kumanovës

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ka thënë se skenari për rastin e Kumanovës, ishte i orkestruar dhe organizuar nga ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, me ndihmën e “disa shqipfolësve”.

Kurti ka kritikuar kryeministrin aktual të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, se përkundër premtimeve se do ta zbulonte këtë rast, një gjë e tillë nuk ndodhi pas marrjes së pushtetit, përcjell Bota sot.

Ai ka kërkuar nga Maqedonia që të rikthejë në rigjykim këtë rast, pasi burrat që u gjykuan për këtë rast, u gjykuan padrejtësisht si “terroristë”.

Sipas Kurtit, gabimi i vetëm që ata kanë bërë “ishte se u bënë pre e lehtë e manipulimeve kriminale të Gruevskit dhe disa shqipfolësve”.

Reagimi i Kurtit në Facebook:

“Rasti Kumanova”!

Shkupi dhe drejtësia mbeten ende një mollë e ndaluar për shqiptarët.

“Grupi i Kumanovës” nuk shkuan në Iliridë për të terrorizuar askënd, por për t’ju dalë në ndihmë vëllezërve tanë shqiptarë në Iliridë, të cilët atëkohë terrorizoheshin nga regjimi radikal anti-shqiptar i Gruevskit.

I tërë ky skenar ishte orkestruar dhe organizuar nga vetë regjimi i Gruevskit me ndihmën e disa shqipfolësve.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, erdhi në qeveri sepse ky premtoi se pas marrjes së pushtetit ai do ti zbulonte të gjitha të zezat e regjimit kriminal anti-shqiptar të Gruevskit, siç janë rastet “Monstra”, “Kumanova” dhe të tjera. Por pas marrjes së pushtetit nga Zaev, kjo nuk ndodhi!

Në shtator 2017, unë bashkë me akademikun shqiptaro-amerikan z. Kodra ishim në Shkup për të marrë pjesë në seancën e Gjykimit të çështjes së Kumanovës edhe pse ishte një seancë publike e gjykimit dhe është e drejtë e çdo qytetari pavarësisht kombësisë të jetë i pranishëm. Administrata e gjykatës nuk na lejuan të marrim pjesë edhe pse neve ditë para seancës kishim angazhuar Avokatin për rastin Kumanova z. Naser Raufi që të bënte kërkesën për ne të marrim pjesë si vëzhgues në seancën e Gjykimit.

Kjo tregon se Prokuroria Maqedonase ka për të fshehur diçka dhe frikësohet nga figurat politike dhe intelektuale shqiptare të jenë të pranishëm aty!

Këta djem dhe burra të cilët shumica e tyre ishin pjesë e UÇK-së për ti mbrojtur trojet tona u lanë anash dhe u harruan nga të gjitha qeveritë tona!

Republikanët e Kosovës dhe unë personalisht, i bëj thirrje qeverisë Maqedonase që rastin “Kumanova” ta rigjykojë sepse këta burra u gjykuan padrejtësisht si “terroristë”!

Burgun që e kanë bërë deri më tani duhet të mjaftonte për gabimin që kanë bërë dhe i vetmi gabim që kanë bërë ishte se u bënë pre e lehtë e manipulimeve kriminale të Gruevskit dhe disa shqipfolësve.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme