Në Beograd është duke u përgatitur shfaqja teatrore-muzikore për qiftin bashkëshortor Millosheviq, e cila do të interpretohet nga Teatri Popullor i Prishtinës, teatër ky paralel serb, me seli në Graçanicë. Kjo shfaqje pritet që ta ketë premierën në muajin mars në Graçanicë.
Regjisorja Jelena Bogavac, e cila për këtë shfaqje teatrore-muzikore ka shkruar tekstin, thotë se shfaqja trajton pasojat e autizmit të pushtetit, autokracisë dhe domosdosë historike.
“Nuk po punojmë nga këndi i gjeneratave tona, por në fakt, po bëjmë shfaqje për vetveten”, thotë Bogavac, duke shtuar se me këtë shfaqje nuk po bëhet cirk me politikanët, por as shfaqje e cirkut politik.
Predrag Radonjiq, drejtor i Teatrit kombëtar të Prishtinës me seli në Graçanicë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se shfaqja synon rishikimin kritik dhe artistik të së kaluarës. Ai thekson se ideja e parë për punën në këtë shfaqje ka qenë e ndërlidhur me situatën në Mitrovicë, në vitet 90, në një ndërtesë të banuar me etni të ndryshme, me të gjitha pasojat që barte koha. E gjithë dramaturgjia, sipas tij, është dashur që të fokusohet brenda hapësirës së një ashensori, me njerëzit që kalojnë nëpër atë ashensor gjatë gjithë atyre viteve. Por, siç thotë Radonjiq, regjisori i shfaqjes (Nenad Todoroviq), e ka kuptuar se është e nevojshme shpërfaqja më e gjerë e natyrës së Millosheviqit dhe se një gjë e tillë kërkon përfshirjen në rrëfim të vet qiftit Millosheviq.
“Por, ajo që unë si drejtor insistoj është që kjo shfaqje të dalë krejtësisht nga konteksti i çfarëdo interpretimi ideologjik dhe që rrëfimi të bazohet në atë që është dramaturgji e pastër. E kjo, është një figurë tragjike, personazh tragjik – sepse kur shikohet e gjithë biografia dhe ngritja, ardhja në pushtet, periudha e atij sundimi dhe mënyra se si e ka përfunduar jetën, me të vërtetë njeriu e kupton që kuptimin e pastër letrar dhe dramaturgjik ne kemi të bëjmë me diçka që është mjaft falënderuese për interpretimin e tragjedisë, sikurse, të themi, Mbreti Lir, në një mënyrë të vet specifike”, tha Radonjiq.
“Kjo në një masë të madhe e ka tërhequr vëmendjen e medieve dhe kjo në një mënyrë flet se sa ajo periudhë e historisë është e gjallë dhe sa edhe më tej paraqet temë tabu. Unë mendoj që para së gjithash, në mënyrë artistike do të kemi sukses të përgjigjemi në këtë dhe të shmangim çdo kurth të mundshëm dhe pasojë, të cilat do të ishin të ndërlidhura me çfarëdo politizimi të gjithë kësaj”, theksoi ai.
Lidhur me shfaqjen, ai nuk pret reagime në Kosovë, sepse, siç ka thënë ai, “shfaqja nuk është kurrfarë glorifikimi i Millosheviqit e as kurrfarë sulmi politik”.
Por, medie të caktuara në Kosovë, ditëve të fundit, kanë transmetuar se përmes një shfaqjeje teatrore “po ringjallet Millosheviqi” dhe disa artistë kanë bërë thirrje që të ndalohet kjo shfaqje në Kosovë, suke konsideruar që kjo paraqet provokim për familjet e viktimave të luftës.
Dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i ka cilësuar si skandaloz dhe tendencioz titujt e caktuar në disa medie të Kosovës, si dhe në funksion të manipulimit të opinionit, lidhur me këtë shfaqje.
“Së pari, bëhet fjalë për një shfaqje, e cila ende nuk është dhënë si premierë dhe nga përshkrimi i shkurtë që autorët i kishin bërë shfaqjes, askund, unë së paku nuk e kuptova, që përmes shfaqjes donin ta glorifikonin e lartësonin figurën e Millosheviqit, siç pretendonin ta prezantonin disa nga mediet në Kosovë. Thjeshtë, ata po merren ose po merreshin siç merret teatri politik me figura politike, qofshin ata heronj apo anti-heronj. Tek e fundit, parimi kryesor është që së pari duhet të shihet shfaqja, cilado qoftë ajo e më pastaj mund të debatojmë për aspektet estetike, përmbajtjesore dhe etike të saj”, theksoi Neziraj.
Ndërkaq, Jelena Bogavac, thekson se në fazën e parë, në tekst ka punuar vetëm me dokumente historike, të llojeve të situatave të ndryshme historike, si dhe me transkriptimet e Hagës. Gjithashtu, ajo ka thënë se ka biseduar edhe me njerëz në Kosovë për ndjenjat e tyre dhe fatin e tyre.
Duke rikujtuar se ajo merret me teatrin post-dramaturgjik, Bogavac ka theksuar se ky teatër nuk sjellë gjykata, por merret me gjykatat.
“Pra, ajo merret me përplasjet, tezat stereotipe dhe kontroverse. Një tetar i tillë post-dramaturgjik, në fakt është një përplasje skenike e informatave të kundërta që i kemi me informatat e caktuara historike, sociale, të zhanreve dhe kështu me radhë. Do të thotë që ky lloj i të vërtetës teatrore lind pikërisht nga kjo përplasje, ose në shkëndijën e kësaj përplasjeje dhe se ajo është e vërtetë vetëm në teatër. Është shumë e rëndësishme që të bëhet e qartë se shfaqja jonë nuk mendon asgjë dhe se ajo është një gumëzhimë e lehtë e shumë zhanreve, pas katastrofës globale që na kishte ndodhur të gjithëve në vitet 90”, tha Bogavac.
Pjesëmarrës në shfaqje janë edhe të rinjtë nga kori Gli Serbia, të cilët, siç thotë Bogavac, janë foshnjat e Milosheviqit,të lindur në vitet 90 dhe të cilët tash kanë qëndrimet e veta post-ideologjike dhe post-katastrofale, si dhe qëndrim të caktuar për veten dhe për botën.
Sipas saj, shfaqja, në rend të parë merret me pasojat, gjegjësisht, me vet fëmijët.