Finalja në Kosovë?

Tani vlen që ky pragmatizëm i ri në rajon të bartet në Kosovë dhe t’ia japim mbështetjen e plotë këtij kompromisi të mundshëm – megjithëse mund të mos na pëlqejë

Pak javë më parë u bë e ditur se ndoshta mund të ketë një përparim në dialogun shumëvjeçar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për çështjen e Kosovës. Ky lajm ka shkaktuar një diskutim kontrovers rreth një marrëveshjeje të mundshme, veçanërisht pasi demonët e një konflikti të ri etnik janë zgjuar.

Për çfarë bëhet fjalë?

Bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së të vitit 1999, Serbia e konsideron Kosovën ende si pjesë të saj. Megjithatë, vite më parë Beogradi ka vendosur të punojë për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian (BE). Ky është një parakusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, bisedimet e së cilës tashmë janë shumë të avancuara.

Prishtina, nga ana tjetër, po lufton për njohje ndërkombëtare të pavarësisë së njëanshme të saj të shpallur në vitin 2008. Pesë nga 28 anëtarët e BE-së nuk e kanë njohur ende diplomatikisht Kosovën, por ata mbështesin përpjekjet e Brukselit për ndërmjetësim.

Megjithatë, kjo vetvetiu nuk çon në një zgjidhje përfundimtare të këtij konflikti të vjetër e të madh historik në Ballkan – atë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, i cili për më shumë se 200 vjet është bartur në grykat e Ballkanit dhe në rrafshin e Kosovës.

Për vite të tëra ky konflikt është peng i Rusisë, e cila me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së po bllokon një zgjidhje përfundimtare. Megjithatë, Moska është e gatshme të heqë dorë nga kundërshtimi i saj për pranimin e Kosovës si një anëtar i plotë i bashkësisë ndërkombëtare, nëse Beogradi e pranon marrëveshjen.

Prandaj, tashmë është e qartë se pa gatishmërinë e Beogradit për t’u dakorduar me një kompromis gjithëpërfshirës me Prishtinën, një konflikt permanent – i ngrirë – në Kosovë do të mundë të vazhdojë të qëndrojë në qendër të kontinentit. Nuk ka perspektivë të mirë për kontinentin, duke marrë parasysh sfidat evropiane dhe globale në rritje.

Gjendja e tanishme gjeopolitike në Evropën Juglindore është krejtësisht e ndryshme nga ajo e luftërave shkatërrimtare jugosllave të viteve 1990, duke pasur parasysh konkurrencën masive ndërmjet Kinës, Rusisë, Turqisë dhe shteteve të Gjirit. Evropa nuk mund të mbështetet më në bashkësinë ndërkombëtare në rast konflikti. Për më tepër, që një krizë lokale mund të bëhet shpejt një rrezik i sigurisë mbarevropiane, duket të jetë shumë e qartë të paktën që nga kriza e refugjatëve e vitit 2015.

Por tani të dy kundërshtarët, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, duken të gatshëm të bëjnë kompromis; një zgjidhje është e mundshme. Natyrisht, ky propozim ka një kurth të madh: ai përmban një element qendror që parasheh ndryshime territoriale, një shkëmbim territorial mes dy fqinjëve, i cili orientohet në kritere etnike dhe që mund të prekë disa qindra kilometra katrorë – dhe mijëra njerëz të të dy etnive. Britma – në Serbi, në Kosovë dhe ndërkombëtarisht – erdhi menjëherë dhe ka arsye të mira për këtë.

Vërtet propozimi zgjon kujtimet e luftërave separatiste jugosllave, qëllimi përfundimtar i të cilave ka qenë konsolidimi brutal etnik i territoreve të tyre përkatëse. Ne e dimë rezultatin. Përveç Sllovenisë, shtetet pasuese të Jugosllavisë kanë mbetur multietnike, pavarësisht spastrimit etnik. Bazuar në këtë, një shkëmbim territoresh ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk do të ndryshonte asgjë.

Andaj, shtrohet pyetja – pse atëherë e gjithë kjo gjë?

Tani, kësaj duhet t’i përgjigjen politikanët në Beograd, Prishtinë dhe Bruksel. Andaj, kërkesa për informim në kohë, si dhe përfshirja e qytetarëve duhet të adresohet veçanërisht nga dy politikanët. BE – përkatësisht Federica Mogherini si kryenegociatore – ka detyrën e vështirë për ta bërë këtë proces një kompromis të durueshëm për të gjithë.

Politika nuk ofron zgjidhje perfekte.

BE-ja kërkon prej vitesh vetëpërgjegjësi dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura nëpërmjet politikës lokale – unë vetë e kam futur konceptin e pronësisë lokale në Bosnje me sukses të dyshimtë. Në Bosnje, zgjidhja e imponuar nga jashtë nuk ka çuar në marrjen e përgjegjësisë për res publica.

Këtu interesant vjen ndihma nga Serbia. Prej kohësh njeriu i fortë i Beogradit ka mohuar hapur retorikën secesioniste të presidentit serbo-boshnjak – së fundi në Forumin Evropian të Alpbachut, ku pata mundësi të bisedoja me të dy presidentët.

Nga ana tjetër, në Maqedoni ndryshimi i Qeverisë ka sjellë një përparim të madh. Atje konflikti mbi më shumë se një çerekshekulli me Greqinë për emrin e vendit u zgjidh praktikisht falë angazhimit personal të dy kryeministrave Zaev dhe Tsipras. Shpreso që referendumi më 30 shtator do të konfirmojë emrin e ri Republika e Maqedonisë Veriore.

Vetë Mali i Zi dhe Kosova mundën së fundmi të bien dakord për korrigjimet kufitare.

Tani, megjithatë, vlen që ky pragmatizëm i ri të bartet në Kosovë dhe t’ia japim mbështetjen e plotë këtij kompromisi të mundshëm – megjithëse mund të mos na pëlqejë. Kjo gjithashtu do të qartësonte përgjegjësinë e të dy shteteve për suksesin e zbatimit – pa u rikthyer përsëri në modelet e vjetra të agresionit. Serbia dhe Kosova nuk do të ishin më pjesë e problemit evropian, por mund të ktheheshin plotësisht te detyrat e tyre të vërteta.

Për Serbinë, kjo do të nënkuptonte tejkalimin e suksesshëm të pengesave më të vështira në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE; për Kosovën, kjo do të nënkuptonte anëtarësimin e dëshiruar në OKB, lëvizjen e lirë pa viza dhe dëshminë e aftësisë së veprimit të këtij shteti të ri. Për Evropën, megjithatë, kjo do të ishte provë e aftësisë së saj të zgjidhjes së problemeve.

Dhe, presidencës austriake të BE-së do t’i shkonte për shtat që në nëntor të 2018-s, njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore – të kremtojë fundin e konfliktit ballkanik përmes një deklarate detyruese të nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo mund të përfshijë edhe korrigjimet e mbetura të vogla kufitare, sikurse ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës, përkatësisht ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, por gjithashtu edhe ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe të përfshijë riafirmimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës.

Në këtë krizë thënia e amortizuar e ndërtimit të urave lidhëse më në fund do të kishte kuptim.

(Ambasadori Wolfgang Petritsch ka qenë i dërguar i posaçëm i BE-së për Kosovën dhe negociator në bisedimet e paqes në Rambouillet dhe Paris. Ai punon për institutin finlandez Ahtisaari CMI për Kaukazin Jugor dhe për Ukrainën dhe këshillon firmën ndërkombëtare ligjore LGP-Andersen Global për çështje që kanë të bëjnë me Ballkanin (Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë). Në tetor do të publikohet libri i tij “Epoka e ndryshimit-Shekulli ynë autoritar digjital”. Këtë vështrim ambasadori Petritsch e ka dërguar për botim në “Kohën Ditore”)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme