Ftesa e Thaçit: “Takim konsultativ” apo blerje kohe?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën i pret në “takim konsultativ” përfaqësuesit e partive politike, konfirmojnë nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, thotë se ftesa e presidentit është e hapur për të gjitha subjektet që kanë fituar ulëset në Kuvendin e Kosovës. Por, në anën tjetër, ftesën e Thaçit përfaqësuesit e subjekteve politike, që për kah numri i votave janë radhitur pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, (PAN), e kanë vlerësuar si blerje kohe.

Ditën e premte, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë quajtur të panevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik i dytë më i madh për kah numri i votave në Kuvendin e Kosovës, përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit Thaçi. Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Për analistët politikë, ftesa e presidentit Thaçit ishte favori që ai i ka bërë koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN. Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se nuk e sheh të nevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi për partitë politike.

“Të vetmin obligim që e ka presidenti në këtë fazë, është që të caktojë datën dhe ta thërras seancën konstituive (të Kuvendit të Kosovës), e pastaj është kryesia e vjetër e Kuvendit e cila zhvillon takime të tilla”, thekson Krasniqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”. Sipas tij, Thaçi po vonon me procedimin për thirrjen e seancës së parë të Kuvendit të ri të Kosovës.

“Do të ishte e rrugës që presidenti i vendit sa më shpejt ta thërrasë seancën konstituive (të Kuvendit) dhe të mos thërrasë takime të tilla të panevojshme si ai i së hënës”, vlerëson Ismajli

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, hap rrugë që presidenti i vendit t’i japë mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër që ta krijojë qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinajn. Për formimin e qeverisë së re, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili i ka 120 ulëse. /REL/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme