Një reformë ambicioze e institucioneve të drejtësisë, e nisur në vitin 2016, ka sjellë shkarkimin e gjysmës së gjyqtarëve për shkak të situatës së tyre financiare. Pasoja paradoksale: procedurat po vonohen dhe lufta kundër korrupsionit po minohet
Nga Thierry Portes, LE FIGARO
Drejtësia shqiptare po njeh një boshllëk të thellë. Reforma ambicioze e miratuar në vitin 2016, e cila po vihet në zbatim gradualisht, ka sjellë largimin e një numri të madh gjyqtarësh të pandershëm, duke e shkatërruar të gjithë strukturën. Për shkak të mungesës së personelit, shumë dosje janë të vonuara. Dhe dyshimet kanë nisur të hedhin rrënjë. Sepse, teksa popullsia është tërbuar nga ngadalësia e procedurave dhe mezi pret që të shohë shkelësit e famshëm të bien në pranga, krimi i organizuar dhe rrjetet e korrupsionit- dy fusha ku Shqipëria shkëlqen- janë të vetmet që po përfitojnë nga një reformë që supozohej t’i rrëzonte ata, por deri më tani u ka dhënë atyre pushime të gjata gjyqësore.
Reforma në drejtësi u iniciua në vitin 2016 me një votim në parlament, i cili bëri ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të lejuar procesin të ecte përpara. Objektivat u identifikuan qartë dhe i përgjigjeshin dëshirave të shprehura nga Sokol Sadushi. Popullata shqiptare, e përballur me gjyqtarë të paaftë dhe të korruptuar, vetëm mund ta mbështeste këtë proces.
Gjyqtarët shqiptarë iu nënshtruar një hetimi për financat e tyre dhe të familjes, për mënyrën se si e kanë ushtruar profesionin dhe për shkallën e integritetit. Një Këshill i Lartë i Drejtësisë, i përbërë nga magjistratë të caktuar prej kolegëve, profesorë të drejtësisë, avokatë dhe anëtarë të shoqërisë civile, ka marrë përsipër këtë detyrë. Për të mbrojtur emërimet nga bota politike- presidenti dhe parlamenti zgjidhnin më parë gjyqtarët- strukturat sipas modelit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, tani emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa politika vetëm jep miratimin.
Prandaj ishte e nevojshme që të përzgjidheshin gjyqtarë me integritet sepse e gjithë godina e drejtësisë do të mbështetej mbi këtë gur të parë. Studimet nuk u publikuan me argumentin se nuk duhej lejuar të ngriheshin ‘gjyqe popullore’. Por sipas një punimi rigoroz nga Instituti për Studime Politike, rreth 905 deri në 930 gjyqtarë, prokurorë dhe magjistratë do të analizohen për jetën dhe karrierën e tyre duke nisur nga viti 2017 deri në vitin 2022.
Në prill të vitit 2021, ISP njoftoi se 550 deri në 580 prej tyre ishin akoma në pritje të procesit të vetingut. Nga 307 që i janë nënshtruar vetingut, 149 kanë mbetur në postet e tyre, kurse 112 janë shkarkuar dhe 46 kanë dhënë dorëheqje. Dhe nëse 47 prej tyre kanë apeluar vendimet, këto çështje, që pa dyshim nuk janë shumë tërheqëse, nuk mund të konsiderohen të mbyllura plotësisht.
Në Shqipëri, një në dy gjyqtarë pra është i korruptuar!
Në Shqipëri, një në dy gjyqtarë është pra i korruptuar! “Po, rreth 50 përqind e gjyqtarëve janë sanksionuar,” thekson me qartësi Sokol Sadushi. Më tej ai shpjegon se atyre iu ndalohet për 15 vite që të kthehen në drejtësi, por mund të ushtrojnë profesionin e avokatit. Në Tiranë, statistikat, në vend që të prodhojnë terror, përshëndeten nga njerëzit e zakonshëm me skepticizëm, madje edhe me mosbesim: “Ah, mirë, a janë 50 përqind e gjyqtarëve të ndershëm?” Në këtë vend të vogël me rreth 2.5 milion banorë, gjithçka dihet. Me rënien e diktaturës në fillim të viteve ’90, qytetarët u trajnuan me nxitim për të zëvendësuar ish-gjyqtarët e regjimit komunist. Bota politike, gjithmonë e korruptuar, i ka përzgjedhur dhe ka luajtur telat e tyre. Dhe ne e pamë se si këta gjyqtarë të rinj dhe familjet e tyre hapën rrugën shpejt duke blerë makina luksoze dhe shtëpi të kushtueshme.
Para se të qartësohet situata e të gjithë gjyqtarëve dhe studentët e rinj të kalojnë konkurset e vështira dhe të ngjitin shkallët e karrierës ligjore, institucioni ka të ngjarë të ngecë për ca kohë.
Gjykatat më të larta nuk mund të formoheshin për shkak të mungesës së kandidatëve të kualifikuar, megjithëse numri i viteve të praktikës për këto poste ishte ulur. Nga 15 anëtarët e Gjykatës së Lartë, 8 mungojnë akoma. Pasoja e parë, jo më pak se 30 mijë dosje po presin për gjykimin përfunditar. Pasoja e dytë, gjykata më e lartë shqiptarë nuk mund të caktojë tre anëtarët që duhet t’i dërgojë te Gjykata Kushtetuese, e cila është e lëkundur me gjashtë anëtarët aktualë, të zgjedhur nga parlamenti dhe presidenti. Çështjet më të ndjeshme duhet të presin, çka shkon në favorin e qeverisë, e cila mban shumicën parlamentare dhe përparon pa u shqetësuar për asgjë.
“Ne kemi parë reformën, por nuk kemi drejtësinë,” thotë Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike. Dhe ai tregon se si SPAK, struktura speciale kundër korrupsionit, një super-zyrë e prokurorëve të ngarkuar me hetimet kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, akoma nuk ka prodhuar çështjen e parë.
“Dosjet shpesh kanë degëzime ndërkombëtare dhe ato janë të vështira dhe të gjata për t’u formuluar,” pretendon nënkryetari i Gjykatës së Lartë. SPAK nuk u formua deri në vitin 2019. Duhet kohë, nuk është ende gati. Kjo është arsyeja që na dha zyra e shtypit e tyre për refuzimin e një interviste me ‘Le Figaro’. Është e vërtetë që SPAK do të diskreditonte veten përgjithmonë nëse do të humbiste objektivin e saj të parë, që duhet t’i përkasë elitës, në mënyrë që popullata të rifitojë besimin te drejtësia.
“Por Shqipëria nuk ka oficerë policie të aftë për të kryer një hetim të këtij niveli,” thotë Afrim Krasniqi. “Dhe ende nuk jemi afër së paturi një Falcone,” shton ai, duke iu referuar gjykatësit të famshëm italian të antimafias.
Pa polici cilësore, pa arsim cilësor dhe, në fund, edhe pa drejtësi cilësore. Janë të gjitha hallkat në zinxhirin e drejtësisë që duhet, një nga një, të kontrollohen dhe të bashkohen në Shqipëri.
Dhe derisa të pakorruptueshmit t’i japin vlerë ligjit dhe drejtësisë, rrokaqiejt që pastrojnë paratë e drogës dhe korrupsionit do të vazhdojnë të ngrihen në qiellin e Tiranës.
© SYRI.net