Grupi fetar që quhet “International Raelian Movement”, po synon që në Kanada të marrë një truall ku do ta ndërtojnë Ambasadën e parë për alienët!
Ky grup mendon që tërë jeta në Tokë është krijuar nga një racë jashtëtokësore që quhet Elohim, si rezultat i një eksperimenti masiv shkencor. Ata besojnë se Elohim do të kthehet në Tokë kur të ndërtohet Ambasada me pistë aterrimi, raporton Huffington Post.
Raelistët, siç e quajnë veten, po organizojnë një peticion për këtë. Vendi nuk është me rëndësi, por vetëm që të mos jetë afër Arktikut, sepse Elohimi nuk e duron të ftohtit!
Javën e kaluar ata një kërkesë të tillë e bënë në Izrael, por u refuzuan. Ndërsa, thonë se kjo Ambasadë do ta ndihmonte ekonominë kanadeze, sepse me dijet e Elohimit do të përparojnë në shkencë, si nanoteknologji, mjekësi, transport dhe biorobotikë.
Këtë lëvizje e ka krijuar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gazetari francez Claude Vorilhon. Më 2002 ata u bënë të njohur pasi pohonin se e kanë klonuar njeriun, të cilin e kanë quajtur Ever, por dëshmi për këtë nuk ka.