Ramush Haradinaj, në një bisedë telefonike për Gazetën Express, ka folur për procesin e nesërm gjyqësor ndaj tij në Colmar. Lideri i AAK’së thotë se as nesër kjo gjykatë mund të mos marrë vendim për lirimin e tij. Por, ai porosit mbështetësit që të jenë të qetë, meqenëse e drejta është plotësisht në anën e tij
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, te enjten do të përballet për të tretën herë radhazi me gjykatën Franceze në Colmar, nën akuzat për krime lufte.
Haradinaj në një intervistë dhënë për Express të mërkurën, duke folur për seancën e nesërme, e pranoi se ndoshta lirimi i tij nuk do të ndodhë as nesër.
Kreu i AAK’së, i cili po mbahet në Francë që nga 4 janari, kur është arrestuar sipas një fletarresti të Serbisë, fton qytetarët dhe ata që besojnë në të që të mos shqetësohen pasi thotë se beson në të drejtën e tij. Ndërkaq, ai është shprehur i qartë se nuk e njeh juridiksionin serb mbi të.
Express: Z. Haradinaj, të enjten është procesi gjyqësor ndaj jush ku do të gjykoheni për pretendimet e Serbisë për krime lufte. Çfarë prisni realisht nga gjykim?
Haradinaj: Në seancën e nesërme janë mocionet nëse mund t’i quaj kështu përfundimtare, prokuroria edhe njëherë paraqet argumentet e veta pse janë plotësuar kushtet për ekstradim në Serbi, ndërsa mbrojtja në këtë rast ne, do të dorëzojmë mocionin tonë pse kjo kërkesë për ekstradim është e pabazë dhe është politike. Nuk ka bazë ligjore se është përsëritje e akuzave që kanë ekzistuar para Tribunalit të Hagës. Pra nesër kemi ballafaqimin. Ekziston mundësia teorike për vendim edhe nesër, por pritet që vendimi të merret në ditët në vijim, pra jo nesër.
Express: Pra, ju nuk prisni që nesër të ketë vendim ndaj jush?
Haradinaj: Teorikisht, por, por sipas të gjitha gjasave dhe në bazë të praktikave të tashme të vonesave që kanë ndodhur edhe mund të shtyhet.
Express: Por, ju a besoni në drejtësinë franceze? Mendoni se kurdo që të merret vendimi, ai do të jetë në favorin tuaj?
Haradinaj: Besoj në të drejtën time e para që jam drejtë ashtu siç kam besuar gjithnjë dhe kemi zbatuar në radhë të parë atë që është obligim njerëzor, pra mbrojtjen nga rreziku që na është kanosur në atë kohë nga regjimi i Millosheviqit. Liria është e drejtë universale. E kemi fituar lirinë, e kemi fituar shtetin, pra i besoj ligjit i besoj drejtësisë, asaj të Kosovës, i kam besuar asaj ndërkombëtare por nuk e njoh juridiksionin serb mbi mua, pra ky është qëndrimi im i përhershëm. Në pamundësi të ketë vetëm një epilog, dmth ndërprerjen e këtyre procedurave që janë krejtësisht politike pra ky do të jetë epilogu dhe kthimi im në Kosovë.
Express: Konsideroni se është politizuar qëndrimi juaj në Francë?
Haradinaj: Po ka pasur prononcime politike të ndryshme, që nga krerët serbë e nga të gjithë, pastaj edhe nga shqiptarët e aleatët, prej kundërshtarëve e armiqve, pra është e vërtetë që është politike situata rreth meje, mirëpo e kam thënë disa herë që shqiptarët janë popull autokton, në Ballkan janë në të drejtën e vetë. Ata s’kanë marr kurrë asgjë nga fqinjët e vetë, përkundrazi të gjithë fqinjët kanë marr nga ne në vazhdimësi nëpër shekuj. Tani është një brez tjetër, është një brez i ri i cili i thotë stop dhe e mbron të drejtën tonë shqiptare.
Express: Z. Haradinaj, qytetarët dhe të gjithë ata që besojnë në ju presin nesër lirimin tuaj. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk ndodh diçka e tillë mund të ketë edhe eskalim të situatës. Cili është mesazhi juaj për ata që u përkrahin dhe besojnë në pafajësinë tënde?
Haradinaj: Ne jemi në të drejtën tonë, kemi qenë gjithnjë. E drejta jonë është e drejtë e ligjit e drejtë e njeriut dhe e popullit të zotit. Nuk kemi pse të shqetësohemi, kjo procedurë do të kryhet gjithsesi. Vërtetë është marrë shumë kohë, vërtetë është bë e tepërt dhe është abuzuar me situatën rreth mesh, mirëpo një gjë është e qartë se kjo vetëm se sa do të na bëjë më besnik ndaj të drejtës tonë shqiptare në Ballkan. Serbët duhet ta kuptojnë forcën e të drejtës së shqiptarëve, pra shqiptarët janë në tokën e vetë, në të drejtën e vet./GazetaExpress/