Haradinaj: Uashingtoni është adresa e Kosovës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka qëndruar në Uashington javën e kaluar ku edhe mori pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.

Në një intervistë për Washington Post, Haradinaj është shprehur se Uashingtoni është adresa e Kosovës për të gjitha vendimet e mëdha, transmeton Klan Kosova.

WorldViews: Kjo është vizitua juaj e parë zyrtare në Uashington. Çfarë ju solli këtu?

Ramush Haradinaj: Për Kosovën, Uashingtoni është adresa e duhur. Për secilin vendim të madh në Ballkan, ne kemi nevojë për ndihmën e Uashingtonit. Ne kemi punë të papërfunduara. Fakti se Kosova dhe Serbia nuk e kanë njohur akoma njëra-tjetrën është akoma një çështje që duhet zgjidhur.

WV: A po e tregon mirëkuptimin e duhur adminstrata e Trump për nevojat e Ballkanit dhe Kosovës?

RH: Me ndryshimin e administratës, ka gjithmonë kohë të humbur. Por tani kam përpshtypjen se gjithçka është në rregull dhe ka një fokus në Ballkan dhe në Kosovë.

Besoj që njerëzit rreth presidentit janë shumë të vetëdijshëm për Kosovën dhe në Departamentin e Shtetit ka një ekip të ri. Shoh një energji të re në NSC dhe në Kongres. Por kishte një periudhë kohore kur ishim të shqetësuar për fokusin nga këtu drejt Kosovës dhe rajonit tonë.

WV: Si e konsideron populli i Kosovës Amerikën? A është qëndrimi akoma pozitiv?

RH: Po, kjo do të qëndrojë përgjithmonë. Është një eksperiencë unike e një populli ku jetët e secilit prej nesh ishin në rrezik dhe ne u ndihmuam në një moment kaq kritik. Kjo është unike. Ne nuk fajësojmë të tjerët por ne vlerësojmë fuqishëm miqësinë.

WV: Vendet me shumicë myslimane nuk janë gjithmonë të identifikuara me sekularizëm, por historia e Kosovës është e tillë. A mund të jeni shembull për shoqëritë e tjera me shumicë myslimane?

RH: Feja myslimane është prezente në jetët tona dhe shumica e popullësisë janë mysliman por është një lloj shumë origjinal i Islamit, që unë mendoj se është shumë ndryshe nga ajo që shohim në vende të tjera. Religjioni vlerësohet, por ne nuk e imponojmë atë në pjesë të tjera të jetës. Demokracia dhe të drejtat e grave në veçanti respektohen. Shpresoj që vendet e tjera të gjejnë rrugën e tyre për të dalë nga fundamentalizmi, i cili është një rrezik për të gjithë

WV: A janë kërcënimet nga Shteti Islamik dhe grupet e tjera ekstremiste një shqetësim i madh për qeverinë tuaj?

RH: Ata ishin shumë agresiv ndaj nesh të paktën në dekadën e fundit. Ne jemi plotësisht të përkushtuar që të përballemi. Por po, Shteti Islamik, nga fillimi me Al-Kaeda, ishin shumë proaktivë ndaj vendit dhe të rinjve tanë. Por tani mendoj se ne jemi në nivelin e kur po bëjmë punën tonë si shtet për ta luftuar atë.

WV: Si po përballeni me të kaluarën tuaj të vështirë të dy dekadave të fundit?

RH: Ne jemi gatshëm të falim por nuk harrojmë. Ne kemi vuajtur shumë. Për ne, është shumë e çmuar të jetojmë në paqe. Ne e dimë vlerën e paqes. Ne e dimë vlerën e jetës. Të jetuarit i lirë dhe në paqe. Unë vetë kam kaluar nëpër të dyja. Kam kaluar nëpër mizoritë e luftës. Kam humbur anëtarët e familjes sime. Kam kaluar nëpër pasoja ligjore pas luftës, sipas ligjit ndërkombëtar. Ne jemi plotësisht të interesuar të jetojmë në paqe. Kemi një simpati për njerëzit që përhapin dritën e demokracisë dhe lirisë.

WV: A funksionojnë mediat në Kosovë lirshëm? A munden njerëzit t’i shprehin idetë dhe shqetësimet e tyre hapur?

RH: Ka gjithmonë diçka që mund të bëhet më shumë për lirinë e mediave. Fatmirësisht  ekziston pranimi i rolit të rëndësishëm të mediave nga të gjithë. Por ne jemi një komb i ri me media të re dhe ne duhet të mësojmë. Ekziston një tjetër problem, që janë lajmet e rreme, inflacioni i të gjitha llojeve të lajmeve nga mediat sociale, kështu që le të shohim se si do ta trajtojmë këtë problem. Por ne e pranojmë rolin e mediave të lira në shoqërinë tonë

WV: Derisa reflektoni në 10 vjetorin e Pavarësisë, cili është mesazhi që Kosova dëshiron t’i dërgojë botës?

RH: Ne kemi mësuar të jemi vetja. Ne kemi mbijetuar një dekadë me sfida, gabime dhe suksese. Ne jemi gati tani për udhëtimin tonë në të ardhmen. Kemi në mendje vazhdimisht sakrificat e popullit tonë. Jetët që janë humbur. Ne jemi falenderues për mbështetjen dhe ndihmën e vendeve mike, të udhëhequra nga SHBA-të.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme