Bekim Haxhiun, i njohur si Kamishi, është shkarkuar nga dega e Partisë Demokratike të Kosovës, nga pozita e nënkryetarit të kësaj partie në Skenderaj. Së bashku me Haxhiun janë shkarkuar edhe shtatë anëtarë, të gjithë asamblistë të partisë në Skenderaj.
Mirëpo, këtë vendim të Sami Lushtakut, i cili është kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, nuk po e pranon tashmë nënkryetari i përjashtuar, Haxhiu.
Haxhiu i ka thënë lajmi.net se Lushtaku mund të merr vendime vetëm brenda shtëpisë së tij dhe për djalin e tij, ndërsa thotë se nuk i përgjigjet këtij të fundit.
“ Të shtëpia e vet edhe për djalë të vet, mua më kanë zgjedh qytetarët edhe Kuvendi i Degës Demokratike, më kanë zgjedh me vota, mua nuk me ka zgjedh Sami Lushtaku, as nuk jam djali i tij as nuk i përgjigjem atij”, ka thënë ai.
Shkarkimi i Haxhiut dhe shtatë anëtarëve të tjerë u tha se u bë për arsye se ata kanë punuar kundër interesave të PDK-së. Mirëpo, Haxhiu ka thënë se atë mund ta shkarkojnë vetëm qytetarët, e vendimi i kryetarit të degës nuk ka kurrfarë peshe për të.
“Mua mundet të më shkarkoj vetëm qytetari. Ai vendim i Sami Lushtakut po me vjen keq me thënë po është i barabartë me zero. Kurrfarë efekti juridik e kurrfarë peshe për mua nuk ka. Ai vetëm e ka treguar frikën e tij për shkak të zgjedhjeve të brendshme që i kemi në parti, karakterin e tij”, deklaroi ai.
Ai mes tjerash tha: “Ai (Lushtaku) është duke ju frikësuar autoritetit tim, sepse jam deputeti i vetëm, që tri mandate, më i votuari në Komunën e Skënderit”.
Tutje ka deklaruar se ky vendim nga ana e Lushtakut ka ardhur pasi dëshiron që në krye të degës së PDK-së në Skenderaj, ta zgjedh djalin e tij.
“Ai vetëm ju ka frikësuar autoritetit tim se po ka qejf me bë djalin kryetar të degës, dhe ka tentu me përgatit një teren për djalin e tij. Partia Demokratike nuk është dinasti, as perandori e Sami Lushtakut, është parti e rregulluar, e bazuar në norma demokratike edhe në bazë të aktit me të lartë juridik të saj që Samia tybe se ka lexu kurrë”, u shpreh Haxhiu. /Lajmi.net/